Këshilltarja e lartë e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conway ka refuzuar përsëri që të dëshmojë para Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Dhomës së Përfaqësuesve. Ajo sfidoi thirrjen të hënën për të folur mbi akuzat se ajo kishte shkelur një ligj amerikan që i ndalon punonjësit e qeverisë federale që të marrin pjesë në aktivitete partiake.
Në një raport dërguar Presidentit Donald Trump në qershor zyra e Prokurorit të Posaçëm rekomandonte që zonja Conway të pushohej nga puna si rezultat i disa shkeljeve të ligjin federal që i ndalon punonjësit e qeverisë që të angazhohen në aktivitete partiake.
Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings thotë se zonja Conway shkeli ligjin në shumë raste, duke përfshirë edhe promovimin e produkteve të modës të kompanisë së vajzës së presidentit, Ivanka Trump, gjatë një interviste për kanalin televiziv Fox News.
“Shtëpia e Bardhë i dërgoi një letër komisionit ku thuhet dhe citoj ‘Zonja Conway ka imunitet absolut’ ndaj kërkesës për të dëshmuar në Kongres thjesht sepse punon në Shtëpinë e Bardhë’. Ky është një pretendim tërësisht i pabazë. Komisioni ynë ka dëgjuar dëshmi nga shumë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nën administatat demokrate dhe republikane.”
Seanca e së hënës ishte përpjekja e dytë brenda tre javësh e komisionit për të marrë dëshmi nga zonja Conway. Ligjvënësi Cummings tha se nëse ajo nuk e rishqyrton vendimin për të mos dëshmuar, komisioni do të mblidhet me 25 korrik për ta mbajtur atë përgjegjëse për mos respektim të kërkesës.