Presidenti Trump dhe demokratët përplasen mbi racizmin dhe azilin

Administrata e Presidentit Donald Trump pritet të nisë të martën zbatimin e një vendimi që bllokon shumicën e azilkërkuesve në kufirin jugor të Amerikës. Vendimi do të ndikojë kryesisht tek të ardhurit nga Amerika qendrore që kalojnë nëpërmjet Meksikës. Rregullorja e re vjen në një kohë kur përplasjet mes Presidentit Trump dhe demokratëve po përshkallëzohen, pas atyre që u konsideruan si sulme raciste nga ana e zotit Trump, ndaj katër ligjvënëseve me ngjyrë. Gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë Presidenti u sugjeroi atyre "të kthehen në vendet nga kanë ardhur".

Pritej të ishte një ditë për të shpalosur produktet e prodhuara në SHBA, përfshirë edhe këtë sistem të mbrojtjes nga raketat balistike i cili u ekspozua në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Por gjërat morën një tjetër rrjedhë.

"Nëse e urreni vendin tonë dhe nuk jeni të lumtur këtu, mund të largoheni", tha zoti Trump.

Presidenti Trump po u përgjigjej pyetjeve në lidhje me sulmet e tij ndaj katër ligjvënëseve demokrate, përfshirë edhe Ilhan Omarin, një myslimane amerikane e lindur në Somali.

"Kur dëgjoj mënyrën se si flasin për vendin tonë, kur dëgjoj gjuhën antisemite që përdorin, urrejtjen që kanë për Izraelin dhe dashurinë që kanë për armiqtë si al-Kaida, atëherë e dini çfarë? Nuk besoj se kjo është një gjë e mirë për Partinë Demokrate", tha Presidenti Donald Trump.

Krahas zonjës Omar, zoti Trump vuri në shënjestër edhe ligjvënëset demokrate me ngjyrë Aleksandra Ocasio Cortez, Rashida Tlaib dhe Ayanna Presley. Ato i dënuan komentet e presidentit duke i cilësuar ato si raciste.

"Ai nuk do asgjë më shumë sesa të ndajë vendin tonë bazuar tek raca, feja, orientimi gjinor apo statusi i emigracionit. Ai e di që kjo është e vetmja mënyrë që të parandalojë solidaritetin mes nesh për të punuar së bashku përtej dallime tona", tha Ilhan Omar, ligjvënëse demokrate.

Komentet e presidentit vijnë ndërsa administrata e tij njoftoi ndryshime për ta bërë më të vështirë për të huajt që të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara në kufirin jugor të vendit. Vendimi i ri i njoftuar nga Departamenti i Drejtësisë dhe ai Sigurisë, ndalon ata që aplikojnë për azil në Shtetet e Bashkuara, nëse kanë udhëtuar nëpërmjet tokës përmes një vendi tjetër ku ekziston mundësia për azil, përpara se të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara.

Kritikët thonë se rregullorja e re e njoftuar të hënën është e paligjshme dhe do të sfidohet në gjykatë.

"Kongresi e ka thënë shumë qartë, që nëse kalon nga një vend i tretë i sigurt, siç parashikohet edhe në marrëveshje, mund të mos merrni azil. Kjo administratë po thotë tani se do të krijojë një rregull të ri, sipas të cilit nëse kaloni nga çdo vend i tretë, mund të mos merrni azil", thotë Tom Jawetz i Qendrës për Zhvillimin Amerikan.

Meksika e kundërshtoi vendimin për të kufizuar kërkesat për azil nga ana e administratës Trump.

"Vendi ynë e ka bërë shumë të qartë se nuk do të hyjë në negociata qofshin bilaterale apo multilaterale, për një vend të tretë të sigurt, pa autorizimin e Kongresit", tha Marcelo Ebrard, ministri i Jashtëm i Meksikës.

Zoti Ebrard tha se Meksika nuk do të kthehet në një vend që do të mbajë azilkërkuesit e refuzuar nga SHBA-ja, duke shtuar se vendi i tij do të respektojë në të njëjtën kohë detyrimin që ka për të mos i kthyer refugjatët në një zonë të rrezikshme.

Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm William Barr ka vënë në dukje një "rritje dramatike të numrit të të huajve" në kufirin SHBA-Meksikë, duke shtuar se "vetëm një pakicë e vogël e këtyre individëve" kualifikohet për azil. Vendimi i administratës pritet të shkaktojë kundërshti ligjore.