Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e Presidentit, është bërë objekt kritikash, pas përfshirjes së saj të spikatur në vizitën që Presidenti Donald Trump zhvilloi javën e kaluar në Azi. Shumë ngrenë pikëpyetje rreth kompetencës së saj për të qenë në ngjarje të tilla të nivelit të lartë, duke e akuzuar administratën se po dëmton interesat e vendit nëpërmjet nepotizmit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, po diskutohet gjithashtu nëse Presidenti po e përgatit atë për një rol edhe më të madh në të ardhmen.
Fillimisht u shfaq në shoqërinë e udhëheqësve botërorë dhe në vazhdim vizitoi zonën e çmilitarizuar mes Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut....madje edhe duke lënë në hije kryediplomatin e vendit, gjatë vizitës së Presidentit në Azi.
Ivanka Trump duket se po shfaqet kudo së fundmi.
“Ka qenë një mëngjes produktiv”, shprehet ajo në një mesazh filmik.
Presidentin Trump e akuzuan se po e drejton vendin si një biznes familjar, kur emëroi vajzën e tij Ivankën, si dhe bashkëshortin e saj Jared Kushner, si këshilltarë të tij në vitin 2017, duke sfiduar kështu edhe ligjin kundër nepotizmit.
Ligji i viti 1967 u miratua kryesisht për shkak të emërimit nga Presidenti John F. Kennedy të vëllait të tij Robert, në postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në vitin 2017, një jurist i Departamentit të Drejtësisë publikoi një opinion ku thuhej se Presidenti ka autoritetet të veçantë punësimi në Shtëpinë e Bardhë dhe se përjashtohet nga ligji kundër nepotizmit.
“Ivanka dhe Jared punojnë shumë dhe sakrifikojnë shumë për këtë gjë”, tha Presidenti Trump.
Ivanka Trump nuk merr rrogë për punën që bën, por kritikët sërish thonë se ky është një problem.
“Ajo qartazi po ndëshkohet për nepotizmin, por nuk e shqetëson kjo gjë. A po përfaqëson ajo interesat më të mira të Shteteve të Bashkuara, apo interesat më të mira të biznesit familjar, korporatës Trump, apo veten e saj?”, thotë Shannon Bow O’Brien, e Universitetit të Teksasit në Austin.
Ivanka Trump ka promovuar projekte si Iniciativa Globale për Zhvillimin dhe Përparimin e Grave.
“Kur fuqizohen gratë, krijohen mundësi të reja për familjet e tyre, për komunitetet dhe për të gjithë begatinë e vendit”, u shpreh në Afrikë zonja Trump.
Disa e mirëpresin ndikimin e saj tek Presidenti për këto lloj çështjesh.
“Kam përshtypjen që ideja duhet shitur. Nëse do të jetë projekti i Ivankës, ajo ka një influencë domethënëse. Pra, kam shpresën se ajo do të jetë në gjendje të ndikojë për diçka më të qëndrueshme”, thotë Judd Devermont, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Zgjerimi i kompetencave të saj për çështje të politikës së brendshme, përfshirë përpjekjet për të krijuar vende pune dhe për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, po krijon spekullime për atë çfarë do të vijojë.
“Njerëzit po vrasin mendjen nëse ndoshta kjo është një shenjë se Ivanka mund të jetë një udhëheqëse politike në të ardhmen dhe se Presidenti Trump po e përgatit për këtë gjë. Është e dukshme kjo prirje”, thotë Zack Cooper, i Institutit Amerikan të Sipërmarrjeve.
Presidenti Trump e akuzoi ish-rivalen Hillary Clinton se ndërtoi një dinasti politike. Ekspertët thonë se amerikanët mund të pranojnë një familje në qeveri, por nëse ata janë të kualifikuar.
“Nuk mendoj se Amerika është shumë tolerante me dinastitë që vazhdojnë të ekzistojnë vetëm për shkak të mbiemrit të tyre”, thotë zonja O’Brien.
Pyetjes së Zërit të Amerikës drejtuar Presidentit Trump nëse po e përgatit vajzën e tij për poste publike, ai iu përgjigj negativisht.