Pjesë të Kalifornisë Jugore u goditën nga një tërmet 6.4 ballësh të enjten që shkaktoi disa zjarre dhe lëndime të lehta në qytetin Ridgecrest, në verilindje të Los Anxhelosit. Ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë goditje të tjera në ditët e ardhshme.
Shenja ikonike e Hollivudit shihej duke u lëkundur, por disa vizitorë në këtë observator thonë se tërmeti ishte më i fortë.
"Gjithçka filloi të tundej dhe ndoshta për 15 sekonda dridhjet ishin vërtetë të fuqishme. Pastaj unë thashë oh Zot çfarë të bëj dhe me vrap u strehova nën një tavolinë në dhomën e ndenjies", thotë Olga Tarnovetska, banore e Los Anxhelosit.
Tërmeti shkaktoi shpërthime zjarri në disa shtëpi në Ridgecrest.
“Ka patur lëndime të shumta, dy shtëpi dhe një zonë e vogël pemësh që u përfshinë nga zjarri, dëmtim të linjave elektrike dhe rrjedhje të gazit”, thotë David Witt, Shef i Departamentit të Zjarrfikësve në distriktin Kern.
Ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë goditje të tjera.
“Ka 5 për qind shans që mund të ketë një tërmet edhe më të madh në ditët e ardhshme”, thotë sizmologia Lucy Jones.
Tërmeti i së enjtes goditi një zonë shkretëtire të banuar me një komunitet të vogël, kështu që dëmi ishte i kufizuar.
Ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Kaliforninë Jugore në 20 vjet.