Meta replikon me ambasadorin e BE-së, Soreca

Në Shqipëri, pas sulmeve, që drejtoi dje ndaj bashkësisë ndërkombëtare, Presidenti i Republikës Ilir Meta u përfshi sot në replika direkte me ambasadorin e Delegacionit Europian, Luigi Soreca, i cili u shpreh mbi nevojën e një angazhimi urgjent të forcave politike në dialog.

Ambasadori Soreca theksoi se reforma zgjedhore duhet të rinisë me shpejtësi, ndërsa zbatimi i Reformës në Drejtësi është i pakthyeshëm.

Your browser doesn’t support HTML5

Presidenti Meta replikon në distancë mes ambasadorin e BE-së

Zoti Meta iu drejtua ambasadorit Soreca me një seri pyetjesh, ku vuri në dyshim nëse ai ishte qysh më parë pro nxitjes së dialogut politik dhe pse ai nuk mbështeti vendimin e presidentit për anullimin e datës së zgjedhjeve.

Në postimin e tij në Facebook ambasadori i Delegacionit Europian Luigi Soreca nuk i përmend deklaratat e presidentit Ilir Meta, por vlerësimet e tij ishin qartas një reagim ndaj sulmit të fortë që Kreu i Shtetit shqiptar bëri dje ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ku Ambasada Amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian ngjanin të ishin shënjestra kryesore.

“Është koha që qeveria shqiptare, opozita dhe institucionet të tregojnë pjekuri dhe të angazhohen urgjent në dialog për të kapërcyer këtë situatë politike. Është koha të ecet përpara me reformat e sundimit të ligjit”, - shkroi zoti Soreca.

Ambasadori i Delegacionit Europian theksoi se “duhet të rinisë me shpejtësi puna ndërpartiake për reformën zgjedhore. Institucionet shqiptare dhe liderët politikë duhet të përqëndrojnë përpjekjet në këto objektiva, në kuadër të vendimit të rëndësishëm të Këshillit Europian në tetor. Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë dhe qytetarët e saj, të cilët besojnë fuqimisht në të ardhmen evropiane të vendit të tyre" - shkruan zoti Soreca.

Por pak pas publikimit të këtyre komenteve, Presidenti Ilir Meta ju drejtua personalisht ambasadorit të Delegacionit Europian me një seri pyetjesh, ku vë në dyshim nëse zoti Soreca ka qenë realisht i interesuar për dialogun mes palëve, ndërsa e pyet dhe nëse ai kishte marrë ose jo ndonjë nismë konkrete në këtë drejtim dhe pse nuk kishte kërkuar mbështetjen e presidentit shqiptar.

Zoti Meta duket kritik ndaj faktit që pse nuk u mbështet vendimi i tij për anullimin e datës së zgjedhjeve, apo dhe dekreti i mëvonshëm për datën e re më 13 Tetor, duke pyetur se cili ishte qëndrimi i ambasadorit lidhur me këtë datë, ndonëse komuniteti ndërkombëtar qartazi u rreshtua në favor të mbajtjes së zgjedhjeve më 30 qershor. Zoti Meta citon qëndrimin e dy anëtarëve të Bundestagut gjerman të cilët propozuan shtyrjen e datës së zgjedhjeve si mundësi për hapjen e dialogut.

Presidenti pranon se i ka bërë të qartë ambasadorit Soreca që kur ai mori detyrën se ka patur vërejtje për Delegacionin e BE, i cili, sipas tij, “gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur një dialog real midis palëve”.

Zoti Meta foli dje me tone të ashpra mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila, sipas tij, është devijuar nga kryeministri Edi Rama, dhe përsëriti akuzat për qëndrime politike të mbajtura nga Misioni Europian Euralius.

Ambasadori Soreca shkruan nga ana e tij se “zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është i pakthyeshëm. Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe rikthimi i Gjykatës Kushtetuese në funksionalitetit. Sapo të përfundojë rivlerësimi i kandidatëve, SPAK do bëjë të mundur që Shqipëria të rrisë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Gjykata do të qartësojë të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje më të drejtat kushtetuese, përfshi çështjet zgjedhore” - tha zoti Soreca.

Ambasadori i BE-së theksoi se “lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë përditë. Prokuroria duhet të hetojë çdo formë të dyshuar të korrupsionit, përfshi shkeljet zgjedhore dhe blerjen e votave, në zbatim të ligjeve ekzistuese. Për të parë që cikli i drejtësisë penale funksionon efektivisht është e rëndësishme që gjykatat të japin dënime përfundimtare mbi akuza të pazgjidhura për çështje serioze të krimit të organizuar”, - saktësoi ambasadori i Delegacionit Europian, Luigi Soreca.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi edhe ai në rrjetet sociale, se kriza politike në Shqipëri nuk mund të zgjidhet me pandëshkueshmëri, duke i bërë lëshime apo duke falur krimet, vjedhjet dhe shkeljet e ligjit. Sipas tij, ndëshkimi i politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe sundimi i ligjit nuk mund të diskutohen apo negociohen në tavolina politike.

“E vetmja rrugë drejt politikës normale e demokratike është ajo e sundimit të ligjit: ndëshkim të politikanëve që kanë vjedhur zgjedhjet dhe kanë bashkëpunuar me krimin” - tha zoti Basha.

Partia Demokratike deklaroi se votimet e 30 qershorit janë një veprim antikushtetues dhe antidemokratik, një farsë antiligjore dhe u manipuluan me çdo mjet e mënyrë, që nga manipulimet ligjore e kërcënimet e votuesve tek manipulimi i votimit dhe numërimit.

“Çdokush që pranon në heshtje apo pajtohet me vetëdije me këtë shkatërrim të Kushtetutës dhe zgjedhjeve të lira, nuk i shërben as demokracisë dhe as interesit të shqiptarëve” - tha zoti Basha.

Opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe nuk ka për t’i njohur, pasi sipas saj, 30 Qershori është nul, sepse cënon sundimin e ligjit dhe nuk mund të prodhojë asnjë përfaqësim politik.

PD deklaroi sot se bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë ideja që Gjykata Kushtetuese mund të vendosë me prapaveprim mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore, pasi socialistët të marrin në dorë gjithë pushtetin vendor.