Mijëra njerëz po i dalin në mbështetje kapitenes gjermane të anijes së shpëtimit të emigrantëve, e cila u arrestua pasi nuk përfilli urdhërin që të qëndrojë jashtë ujërave italiane. Në Gjermani më shumë se 20 mijë veta kanë grumbulluar më shumë se 745 mijë dollarë për të ndihmuar kapinenen. Megjithatë, autoritetet italiane thonë se ndëshkimi i pret të gjithë ata që hyjnë në ujërat e tyre pa autorizim.
Carola Rackete vazhdon të mbahet në arrest shtëpiak, pasi anija e saj “Roja e Detit 3” kaloi pa autorizim policinë kufitare italiane që po bllokonte hyrjen në portin e ishullit Lampedusa.
Në anije ndodheshin emigrantë që ishin shpëtuar në ujërat mesdhetare të Libisë më 12 Qershor, por që kishin mbetur në det të hapur pasi ishin refuzuar nga shumë vende të Evropës.
Të mërkurën, Rackete nuk përfilli paralajmërimet italiane dhe ankoroi në Lampedusa. Giogina Linardi është zëdhënëse e anijes “Roja Detare”
“Carola kishte mbetur pa alternativë. Ajo u la e vetmuar nga autoritetet e shumë vendeve që kontaktoi. Për 17 ditë ajo nuk u ndihmua nga askush dhe rruga e vetme ishte kthimi i njerëzve në Libi, vend që ndodhet në luftë, vend prej nga po iknin ata që kemi shpëtuar.”
Në Gjermani po mblidhen ndihma për kapitenen e arrestuar. Për 24 orë, më shumë se 20 mijë veta kanë dhuruar më shumë se 745 mijë dollarë.
Ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini, i cili është kundër emigracionit, ka thënë se gjobat, arrestimet dhe konfiskimet i presin ata që hyjnë në ujërat italiane pa autorizim.
Salvini vazhdimisht ka akuzuar shpëtimtarët bamirës si bashkfajtorë me kontrabandistët që presin në brigjet e Libisë për të mbledhur emigrantë me anije që nuk mund të mbërrijnë në Evropë.
Italia është vendi i preferuar e emigrantëve që largoheshin nga Afrika veriore drejt Evropës. Por nga qershori i vitit të kaluar, qeveria djathtiste ka mbyllur portet për anijet e shpëtimit.
Numri i emigranëve ka rënë që kur ministri Salvini nisi detyrën një vit më parë. Deri tani, vetëm 2 mijë e 456 veta e kanë kaluar Mesdheun, ose 85 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 96 për qind më pak se në vitin 2017.