Tiranë: Përgjimet e publikuara nga gazeta Bild dhe reagimet e analistëve

Përgjimet e fundit te publikuara nga gazeta gjermane “Bild” vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit qytetar si dhe studiuesve të çështjeve politike.

Your browser doesn’t support HTML5

Analistët për përgjimet e publikuara nga gazeta "Bild"

Në to dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të qeverisë Rama, që bisedojnë me policë, biznesmenë dhe persona të dyshuar në veprimtari të paligjshme në Dibër për maksimalizim rezultatesh zgjedhore përmes presioneve dhe blerjes së votave.

Në përgjimet e publikuara nga gazeta Bild dëgjohen disa metoda të blerjes së votave në favor të PS-së, mbledhjes së kartave të identitetit dhe presioneve që u bëhen qytetarëve për të votuar familjarish pro PS-së.

Analistët mendojnë se papergjegjësia që shihet në ato telefonata gjatë procesit zgjedhor dhe shkeljet ligjore në to tregojnë papërgjegjësinë dhe shkeljet ligjore që keto zyrtare kryejnë gjatë ushtrimit të pushtetit.

Studiuesi Endrit Shabani, pjestar i Nismës “Thurrje”, thotë se “korrupsioni dhe paligjshmëritë e politikanëve janë bërë sa të shumta aq edhe të paprekshme”.

Ai shton se shoqëria dhe ligjet shqiptare nuk kanë ende mekanizma për largimin e politikanëve të tillë nga strukturat shtetërore.

Analistët besojnë se institucionet e drejtësisë duhet së paku të kishin vënë në lëvizje hetimin dhe ndëshkimin e këtyre individëve para se atyre t’u kërkoheshin gjeste morale si dorëheqjet apo largimet.

Afrim Krasniqi, drejtues I institutit të Studimeve Politike, thotë se manipulimi I zgjedhjeve dhe marrja e votave me presione dhe para janë shenja të degradimit të thellë të partive politike shqiptare.

“Këto parti i kanë nëpër statute, por nuk i zbatojnë pikat për shkarkimin e politikanëve të tyre kur përzihen në korrupsion dhe shkelje ligjore” - tha zoti Krasniqi.

Përgjimet janë shumë serioze, pohojnë vëzhgues të jetës politike, por akoma më i rëndë është përdorimi formave mafioze të goditjeve politike, ndërsa qytetarët janë krejt të pambrojtur përballë kësaj klase politike të kriminalizuar në gjithë spektrin e vet.

10 përgjimet e publikuara mbrëmjen e të mërkurës e ngrejnë në 32 numrin e telefonatave të zbardhura deri tani nga BILD, pas 6 telefonatave krerëve socialistë në Durrës me persona të dyshuar në veprimtari kriminale për blerje votash dhe kërcënim të votuesve, dhe 16 të tjerave të ngjashme po në zonën e Dibrës disa ditë më parë, pjesë e dosjes hetimore 184/2016 për manipulimin e zgjedhjet vendore të parakoshme, të shtatorit 2016 në atë qytet.

Kryeministri Edi Rama tha se do t’u kërkonte gjykatave gjermane të hedhin dritë mbi përgjimet që po publikon gazeta “Bild”.

Ndërsa opozita ka ftuar qytetarët për një tjetër tubim proteste nesër në mbrëmje para selisë së qeverisë, për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme nga një qeveri tranzitore.