Sfidat e lirisë së shtypit në Europën Juglindore në një konferencë ndërkombëtare

Sfidat e reja për lirinë e medias në Europën Juglindore u trajtuan sot në Konferencën Ndërkombëtare që organizuan Instituti Shqiptar i Medias dhe Fondacioni Konrad Adenauer.

Në konferencën ku morën pjesë gazetarë e drejtues mediash dhe organizatash të mediave nga Gjermania, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Maqedonia Veriore, Bosnja-Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Shqipëria u diskutua me shqetësim mbi një “stanjacion të medias, që rrezikon lirinë e shprehjes”, e cila mund të shmanget duke përdorur mjetet e reja të komunikimit.

Your browser doesn’t support HTML5

Tiranë: Konferencë mbi sfidat e reja para mediave të Evropës Juglindore

“Shumë njerëz nëpër botë po përdorin mediat sociale për të bërë gazetari, shumë njerëz po i përdorin FB dhe Tuiterin si gazeta dhe Youtubin si tv. Ata e bëjnë këtë për të shmangur kontrollet e e Për mua si gazetar këtu është e rëndësishme përmbajtja e lëndës, sepse mund të shkohet lehtë tek lajmet e rreme, që rrezikojnë demokracinë. Interneti ofron media më të lira nga kostot dhe më pak të kontrollueshme, por askush nuk fiton nëse nuk mposhten lajmet e rreme” - tha Henri Sittig, përfaqësuesi i Fondacionit Konrad Adenauer.

Ndërsa drejtuesi i Unionit të Gazetarëve shqiptarë, Aleksandër Çipa thotë se media shqiptare në 3 dekada u zhvillua në mënyrë kaotike dhe krijoi marrëdhënie problematike me pushtetet e tjera.

“Unë do të doja të propozoja një rithemelim të strukturave fuksionale të mediumeve kombëtare shqiptare. Sepse autoriteti i parë që është shembur në mediat shqiptare është autoriteti i editorit. Ata janë aktualisht persona të komanduar ose të punësuar nga pëlqimi ose mospëlqimi i pronarëve, apo administratorëve të mediave. Status quoja e informalitetit është problemi i dytë që e mban në një gjendje kaq mjerane median shqiptare” - tha zoti Çipa.

Vëzhgues të tjerë konstatojnë një shtim numerik të medias shqiptare, që shumëfishon deklaratat e politikanëve, por nuk heton më thellë në brendinë e problemeve sociale, ekonomike.

Kjo e ka ulur peshën e fjalës së medias shqiptare dhe e ka ulur atë disa vende më poshtë në renditjen botërore të lirisë së shtypit.

“Numerikisht kemi media, në mënyrë sasiore, por nga pikëpamja cilësore kjo media lë shumë për të dëshiruar. Kjo ëhstë sfida e parë e medias tonë, sepse kemi shumë pak shkrime investigative, shkrime të mirëfillta nga pikëpamja profesionale, dhe kjo ëhstë një nga problemet e mëdha që ka media” - tha Ilir Aliaj, nga Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve.

Ndërsa analisti Alfred Lela thotë se fakti që mediat ndërkombëtare dëgjohen më shumë se ato vendase, edhe pse shkruajnë të njëjtat materiale, tregon që shtypo shqiptar e ka humbur peshën dhe fuqinë e saj për të bërë presion zyrtarëve në dobi të qytetarëve.

“Lajmi i keq është se ne e paskemi humbur këtë mjet trysnie, presioni, ose ndërmjetësimi për publikun. Për sa shohim se si punojnë mediat e tjera. Mund të jetë faji ynë, mund të jetë faji i pushteteve, ky është një diskutim i gjatë për ta bërë” - tha drejtuesi i Portalit të lajmeve Politiko.al, Alfred Lela.

Analistët citojnë raportet e organizatave ndërkombëtare si Freedom House dhe Reporterët pa kufi, ku përshkruhen vështirësitë e mëdha të medias shqiptare, ku gazetarët punojnë në kushte të vështira për të raportuar të vërtetën, si në rastin e publikimit të përgjimeve nga gazeta Bild.

“Pas botimit të Bild, të gjithë mediat shqiptare i kanë botuar materialet e saj pa i prekur apo censuruar. Kjo tregon se ka një etje për të thënë të vërtetën, por kushtet për të thënë të vërtetën në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më të vështira, dhe kjo është stuata ku ne jemi. Për shkak të lidhjeve politikë/ media/ prokurori, këto përgjime janë bërë gjithnjë e më të vështira për tu botuar për shkak të censrës dhe vet-censurës që kanë gazetarët dhe mediat si dhe frikës për raprezalje pas tyre” - tha Lavdrim Lita, përfaqësues i Faktor.al dhe i Qendrës “Zëri i Integrimit”.

Konferenca Ndërkombëtare mbi sfidat e reja për lirinë e medias diskutoi më gjerë tema që lidhen me mosinformimin dhe keqinformimin, roli i teknlogjive të reja në gazetari, si dhe me lirinë e shprehjes nga një anë apo të drejtën për tu dëgjuar nga ana tjetër.