Bullgaria mund të ndihmojë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut

Anëtarja e NATO-s, Bullgaria, mund të ndihmojë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut, në veri-perëndim të Maqedonisë, nëse Sofja finalizon një marrëveshje për blerjen e tetë avionëve F-16 nga Shtetet e Bashkuara, tha të mërkurën kryeministri Bojko Borisov.

Bullgaria, e cila është gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian, po përpiqet të zëvendësojë avionët e saj të vjetër sovjetikë MiG-29 dhe të përmirësojë pajtueshmërinë me standardet e NATO-s.

Një agjenci e Pentagonit tha të hënën se Departamenti i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të tetë avionëve F-16 dhe pajisjeve të tjera Bullgarisë me një kosto që llogaritet në 1.67 miliardë dollarë.

Megjithatë, Bullgaria pret që Shtetet e Bashkuara t’i ofrojnë aeroplanët për forcën e saj ajrore me një çmim të zbritur prej 1.2 miliardë dollarësh.

"Biseduam me kolegun (tim) Kryeministrin Zoran Zaev javën e kaluar ... për të mbrojtur hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut kur të marrim avionët e rinj", u tha Borisov gazetarëve. "Kjo do të jetë me interes për ta dhe për ne."

Propozimi zyrtar i SHBA për t’i shitur avionë luftarakë F-16 vendit ballkanik pritet të arrijë brenda një jave, tha të martën ministri bullgar i mbrojtjes Krasimir Karakachanov.

Ky do të ishte prokurimi më i madh ushtarak i Bullgarisë që nga fundi i sundimit komunist më 1989.

Maqedonia e Veriut shpreson të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s vitin e ardhshëm.