Boris Johnson është një figurë që shkakton reagime të forta. Ka nga ata që e konsiderojnë antipatik në maksimum, por ka po aq të tjerë që e vlerësojnë lart.
Por nuk ka njeri që t’ia mohojë aftësinë për t’u gjetur zemrën “anglezëve të mesëm”, klasës së mesme që vazhdon të jetojë në zonat e gjelbëruara jashtë qyteteve dhe i qëndron besnike Partisë Konservatore. Ky grupim mezi pret që Britania të shkëputet përfundimisht nga Bashkimi Evropian.
Boris Johnson, i cili ndryshe nga shumë politikanë britanikë njihet edhe jashtë kufijve të atdheut të tij, kryeson në listën e pretendentëve për të zëvendësuar zonjën Theresa May si kreu i Partisë Konservatore dhe si kryeministër, së paku në sytë e aktivistëve të partisë.
Ai nuk e ka fshehur entuziazmin për të shërbyer në këtë detyrë. Që gjatë studimeve në shkollën e mesme Eton, kur ishte ende adoleshent, ai pat deklaruar se një ditë do të bëhej kryeministër. Zoti Johnson ka qenë dikur gazetar si dhe është zgjedhur kryebashkiak i Londrës. Thuhet se Boris Johnson pat qenë revoltuar jashtë mase kur David Cameron, tre vjet më i ri se ai vetë, ishte zgjedhur në krye të partisë.
Zoti Cameron, i cili donte ta mbante Britaninë në Bashkimin Evropian, dha menjëherë dorëheqjen kur u miratua me një rezultat të ngushtë referendumi për daljen e Britanisë nga BE në vitin 2016. Në prag të referendumit, zoti Johnson ndryshoi qëndrim, nga një politikan pro-Bashkimit Evropian, në përkrahës i zëshëm i Brexitit. Kritikët thonë se kjo ishte një lëvizje e paskrupullt për karrierë.
Tre vjet më parë mendohej se zoti Johnson ishte pothuajse i garantuar si zëvendësues i zotit Cameron. Por ai humbi përballë zonjës May, pjesërisht pasi aleati i tij Michael Gove, një tjetër politika pro-Brexitit, dha dorëheqje si menaxhues i fushatës së tij dhe tha se Boris Johnson, ish-shok shkolle gjatë studimeve në Oksford, nuk ishte kandidat i përshtatshëm për postin më të lartë në Britani.
Tani zoti Gove është vetë në garë për të zëvendësuar Kryeministren May, megjithëse shanset e tij konsiderohen të vogla. Në garë ka hyrë edhe Ministri i Jashtëm, Jeremy Hunt i cili po e mbështet fushatën në eksperiencën si bizmesmen dhe si kandidat që përqafon kompromisin. Një tjetër kandidat është Dominic Raab, ish-ministër i Brexitit, i cili e prezanton veten si kandidati më i mirë për të përmbyllur daljen nga Bashkimi Evropian.
Duket se gara ka vënë në një ballafaqim të egër ish miq e aleatë brenda Partisë Konservatore.
“Dua të bëhem kryeministër! Dua të bëhem kryeministër! Dua të bëhem kryeministër!” thuhet se i ka thënë zoti Johnson një deputeti britanik javën e kaluar, pasi shpalli kandidaturën. Ambicja e shfrenuar mund të mos i mjaftojë zotit Johnson, sidomos kur kujtojmë karrierën e shkurtër dhe plot gafa politike si ministër i jashtëm.
54-vjeçari Johnson, me ndihmën e të dashurës së tij, ka ndryshuar për këtë garë edhe paraqitjen, duke prerë më shkurt flokët që i mbante në një stil karakteristik të rrëmujshëm. Po ashtu ai po vishet me kostume më moderne. Por kritikët e tij thonë se këto ndryshime kozmetike nuk kompensojnë mungesën e kompetencës dhe seriozitetit për këtë rol.
Në një artikull të fortë të gazetës Sunday Times, opinionisti Dominic Lawson, i cili e pat punësuar zotin Johnson si gazetar vite më parë, e përshkruan si “njeri që s’ia ke besën absolutisht”. Ai e vlerëson zotin Johnson për aftësinë për të bërë njerëz për vete dhe kujton se si duke ecur nëpër Londër me të një mbrëmje, dëgjoi njerëz që “nuk dukej se kishin ndonjë besnikëri nga Partisë Konservatore dhe nuk ishin të rangut apo prejardhjes së zotit Johnson,” duke e thirrur me emër sikur të ishin miq që kalonin kohën bashkë klubeve. Njerëzit e ndiqnin nga pas sikur të ishte aktor telenovelash.
Por opinionisti shton se ai shfaq një natyrë gazmore kaotike. “Kjo natyrë e prirur nga kaosi, shpesh maskon një botë të brendshme depresive. Por kaosi është një karakteristikë e mirëfilltë, jo e shtirur e tij dhe është tipari më i padëshirueshëm në një kryeministër”.
Me këto kritika të opinionistit Dominic Lawson ndaj pretendimeve të zotit Johnson si politikan i matur, i qëndrueshëm janë të ngjashme me komentet që kanë bërë deputetë të tjerë konservatorë. Ata shprehen se zoti Johnson, i cili në publik njihet thjesht si “Boris”, është i pamatur, i paparashikueshëm dhe nuk do të jetë në gjendje të udhëheqë kursin e Britanisë për shkëputje nga BE.
Armiqtë e tij shprehen se ai di si të ndezë dhomën dhe të entuziazmojë njerëzit përreth, por është tepër kaotik për zyrën e kryeministrit, sidomos në këto momente kur Britania ndeshet ndoshta me krizën më të rëndë politike që nga kriza e Kanalit të Suezit në 1954 kur ishin në rrezik marrëdhëniet e Londrës me Uashingtonin.
Javën e kaluar, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian konservatorët pësuan humbje të thella përballë Partisë së Brexitit, një forcë politike e sapo-formuar nga Nigel Farage. Konservatorët pësuan humbjen më të rëndë elektorale, duke marrë vetëm 9% të votave.
Brexiti duket se ka ndryshuar sistemin politik dy-partiak. Tani konservatorët shqetësohen se partia e tyre mund të jetë përballë një krize për ekzistencë dhe mund të shpërbëhet në dy forca politike.
Me intensifikimin e garës për udhëheqësin e partisë dhe me shtimin e numrit të konkurrentëve, përkrahësit e zotit Johnson, shumë prej tyre përkrahës të fortë të Brexitit, besojnë se ai është kandidati më i mirë për këtë detyrë dhe i vetmi politikan që mund të hahet me fushatën agresive të politikanit Farage. “Me Borisin, nuk ka surpriza. Disa njerëz irritohen nga stili i tij, të tjerët e konsiderojnë shumë tërheqës,” thotë Jacob Rees-Mogg, deputet në parlament dhe përkrahës i Brexitit.
Redaktori i revistës koservatore The Spectator është i të njëjtit mendim, megjithëse e pranon se Boris Johnson ka plot të meta: “Në këtë kohë kur votuesit janë velur nga politika tradicionale dhe kërkojnë politikanë të një tipi të ri, ai është kandidati më i mirë për të përfaqësuar konservatorët si forcë ndryshimi. Në fakt, ai mund të jetë i vetmi që mund ta bëjë një gjë të tillë,” thotë redaktori Fraser Nelson.
Përkrahësit e tij thonë se partia ka nevojë për origjinalitetin e zotit Johnson. Por ky origjinalitet i ka sjellë edhe probleme në të kaluarën: ai u pushua nga puna si gazetar për të përditshmen The Times pasi kishte sajuar një citim. Këtë javë u bë publik një proces hetimor kundër tij për gënjeshtra gjatë fushatës për referendum, gjë që mund t’i krijojë probleme gjatë fushatës.
Asgjë nuk është e garantuar për zotin Johnson. Megjithëse anketat tregojnë se ai është kandidati i preferuar nga aktivistët konservatorë për rolin e udhëheqësit të ardhshëm të partisë, ai nuk gëzon popullaritet mes vetë deputetëve të partisë së tij.
Shumë prej tyre përbuzin oportunizmin e tij të shfrenuar, e kanë zili për stilin e tij të bujshëm por shqetësohen për jetën kaotike private ku numërohen një numër të dashurash, një fëmijë i lindur jashtë kurorës martesore, abort nga partneret dhe dy divorce, njëri prej të cilëve po finalizohet tani.
Megjithë këto probleme, Boris Johnson mbetet kandidati kryesor. Rivalët e kanë të qartë se ai është pretendenti që duhet mundur sa më parë, përndryshe shanset e tij do të vazhdojnë të forcohen. Përkrahësit e tij thonë se ai është i magjishëm kur është nevoja për të ngritur moralin në parti. “Në fund të fundit, Boris Johnson është i vetmi person që mund të realizojë Brexitin dhe të mundë Partinë Laburiste,” thotë ish-sekretari i mbrojtjes, Gavin Williamson.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e rivalëve, zoti Johnson shprehet optimist kur flet për Britaninë pas Brexitit. “Ai ka një vizion shumë të guximshëm për vendin dhe dëshiron të shohë realizimin e shumë mundësive që do të dalin pas Brexitit,” thotë zoti Williamson.
Optimizmi i tij ndez entuziazmin në parti. Ai është gjithashtu një politikan liberal në temat sociale, gjë që i ndihmon konservatorët, të cilët prej kohësh kishin fituar epitetin “partia zemërkeqe”.
Por ka gjasa që rezistenca nga deputetët konservatorë t’ia shkatërrojë shanset.
Deputetët e Partisë Konservatore zhvilluan një seri votimesh për të pakësuar numrin e pretendentëve, të cilët do të konkurrojnë për votën e anëtarësisë së përgjithshme të partisë. Aktualisht, zoti Jeremy Hunt ka marrë më shumë deklarata përkrahjeje nga deputetët konservatorë se sa zoti Johnson.