Shefi i Pentagonit drejt Azisë, mes tensioneve me Iranin, Kinën dhe Korenë e Veriut

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Pat Shanahan po viziton këtë javë rajonin Azi-Paqësor, një udhëtim që vjen ndërsa tensionet me Iranin janë në rritje. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb që është pjesë e këtij udhëtimi, një rivalitet krejt ndryshe radhitet ndër shqetësimet e zotit Shanahan.

Një kërcënim në rritje vjen nga Lindja e Mesme... ndërsa Koreja e Veriut po teston raketa të reja. Por, Sekretari i Mbrojtjes në detyrë thotë se Kina vazhdon të jetë shqetësimi i tij kryesor.

“Përparësia ime kryesore është zbatimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare. Kina është përparësi në këtë strategji”, tha zoti Shanahan.

Turi i tij në rajonin Azi-Paqësor përfshin ndalesa në Hawaii dhe Indonezi, përpara se të marrë pjesë në Singapor në forumin vjetor Shangri-La për mbrojtjen, ku ai pritet të takohet me ministrin e mbrojtjes së Kinës.

Të dyja vendet janë angazhuar në një luftë tregtare, ndërkohë që forcat e tyre ushtarake përpiqen për ndikim në rajon.

“Termi konkurues pothuajse i barabartë përdoret për Kinën. Mendoj se ky term po vjetërohet. Në shumë fusha, Kina ka tashmë kapacitete si tonat, ose më të mira”, thotë Bradley Bowman, i Fondacionit për Mbrotjen e Demokracive.

Edhe fuqia ushtarake e Kinës po rritet.

“Zhvillimi kryesor është se tashmë Kina ka një buxhet të madh ushtarak, teknologji të lartë në veçanti në fushën e elektronikës dhe robotikës, ndoshta edhe për disa lloje raketash. Kina mund të jetë tani tepër konkuruese, sidomos në Paqësorin perëndimor”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit “Brookings”.

Udhëtimi i zotit Shanahan pason vendimet më të fundit për të përforcuar mbrojtjen amerikane në Lindjen e Mesme, në mbrojtje të forcave amerikane nga sulme të mundshme të Iranit.

Zoti O’Hanlon thotë se ky është një sinjal që Shtetet e Bashkuara nuk janë të fokusuara vetëm tek Kina dhe Rusia.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë shqetësohen se vendimi për të dërguar forca ushtarake e angazhon më shumë SHBA-në në Lindjen e Mesme, vetëm pak muaj pasi nga rajoni u tërhoqën një numër forcash ushtarake.