Presidenti Donald Trump tha të premten se do të nisë rreth 1,500 trupa amerikane në Lindjen e Mesme, kryesisht si masë mbrojtëse, në mesin e tensioneve në rritje me Iranin.
"Duam të kemi mbrojtje në Lindjen e Mesme. Do të dërgojmë një numër relativisht të vogël trupash, kryesisht për mbrojtje", tha zoti Trump ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim drejt Japonisë.
"Disa njerëz shumë të talentuar po shkojnë aktualisht në Lindjen e Mesme. Do të shohim se çfarë do të ndodhë", tha ai.
Trupat do të ndihmonin në forcimin e mbrojtjes amerikane në rajon, i thanë më herët dy burime anonime, agjencisë së lajmeve Reuters. Ata thanë gjithashtu se mes trupave, do të ketë dhe inxhinierë. Më parë gjatë këtij muaji ushtria amerikane ka dislokuar në Lindjen e Mesme një grup luftarak, mes të cilëve bombardues e raketa Patriot. Kjo lëvizje erdhi si reagim ndaj asaj që Uashingtoni tha se ishin të dhëna shqetësuese për një sulm të mundshëm nga Irani.
Javët e fundit retorika ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit është përshkallëzuar ndërsa Shtetet e Bashkuara i ashpërsuan sanksionet me qëllimin për të shtyrë Iranit të bëjë lëshime përtej kushteve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Presidenti Trump paralajmëroi të hënën se Irani do të përballej me "një forcë të madhe" nëse do të sulmonte interesat amerikane në Lindjen e Mesme.