Tiranë: KQZ nuk pranon komisionerë opozitarë. Mbërrin misioni i OSBE/ODIHR-it

KQZ rrëzoi të enjten me shumicën e votave të anëtarëve propozimet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të zëvendësuar me komisionerët e tyre qytetarët e futur nëpër komisione me vendim kryesisht nga ana e KZ-së.

Përfaqësuesi i PD-së pranë KQZ-së, Ivi Kaso, tha se kjo e drejtë ligjore u vjen partive të opozitës nga Kodi Zgjedhor, që i njeh ato si parti parlamentare dhe si administruese të proceseve zgjore.

Your browser doesn’t support HTML5

KQZ nuk pranon përfaqësuesit e opozitës në komisione

Vendimi u mor pas një debati të gjatë ligjor dhe etik mes komisinerëve, ku u cituan shumë nene të Kodit Zgjedhor, nëse mund të kishte të drejtën për të patur komisionerë në një proces zgjedhor një parti që nuk regjistrohet në garën zgjedhore.

Katër anëtarë të KQZ-së thanë, duke cituar nene të Kodit Zgjedhor se një parti që nuk garon vet nuk mund të mbrojë të drejtat e garuesve të tjerë, aq më tepër kur deklaron publikisht se do të bëjë gjithçka që zgjedhjet të mos zhvillohen.

Kryetari i KQZ Klement Zguri ishte i vetmi që mbështeti, po me citime nenesh të Kodit Zgjedhor, propozimin e ardhur nga partitë opozitare, sipas tij, një e drejtë, që atyre ua jep ligji.

Megjithatë vota e kryetarit Zguri nuk mjaftoi për të miratuar futjen e komisionerëve të opozitës në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Tashmë, opozita jo vetëm nuk merr pjesë në zgjedhje, por nuk do të ketë as mundësinë të jetë e pranishme gjatë procesit zgjedhor të 30 qershorit.

Përfaqësues të saj janë shprehur se atë datë nuk do të mbahen zgjedhjet vendore, ndërsa shumica socialiste po vazhdon përgatitjet për zhvillimin e tyre.

Po sot, drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetari Klement Zguri dhe nënkryetari Denar Biba pritën delegacionin e Misionit të OSBE/ODIHR-it, që kryesohet edhe këto zgjedhje vendore në Shqipëri nga ambasadorja Audrey Glover dhe bashkëpunëtorët e saj.

Ambasadorja Glover është e njohur në Tiranë, sepse ka vëzhguar edhe procese të tjera zgjedhore në Shqipëri.

Misioni i OSBE/ODIHR-it u njoh me hapat e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe palët u prezantuan angazhimet për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Qeveria Rama ftoi OSBE/ODIHR-in të vëzhgojë zgjedhjet për qeverisjen vendore në përputhje me mandatin e organizatës.