Ligjvënësit amerikanë të përçarë mbi politikën ndaj Iranit

Këshilltarët e Presidentit Trump për sigurinë kombëtar u thanë ligjvënësve amerikanë të martën se përshkallëzimi i tensioneve me Teheranin, ishte pjesë e një modeli dyzetvjeçar të agresionit të përdorur nga Republika Islamike e Iranit. Por ligjvënësit demokratë nuk u bindën nga argumentat e administratës së Presidentit, dhe bënë thirrje për një qasje më të kujdesshme ndaj Lindjes së Mesme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton nga ndërtesa e Kongresit.

Para fillimit të seancës për Iranin në kongres, Sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan tha:

"Ne nuk duam që situata të përshkallëzohet. Kjo ka të bëjë me shmangien, e jo fillimin e luftës. Ne nuk po shkojmë në luftë. Kjo është pjesë e vazhdimit të përpjekjeve për mbrojtjen e interesave tona në Lindjen e Mesme dhe kryerjen e misioneve tona atje".

Sulmet e fundit ndaj anijeve të transportit të naftës në Gjirin Persik dhe tubacioneve të Arabisë Saudite ndoshta janë vepër e Iranit, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Nëse kjo vazhdon, Presidenti e ka lënë derën hapur për veprim.

"Unë mendoj se Irani do të bënte një gabim shumë të madh nëse do të ndërmerrte ndonjë veprim. Nëse ndërmarrin ndonjë operacion, ata do të ndeshen me një forcë të madhe, por nuk kemi asnjë shenjë se ata do ta bëjnë një gjë të tillë", tha Presidenti Trump.

Por, disa ligjvënës nuk u bindën nga informacionet e zyrtarëve të lartë të sigurisë.

"Jam shumë i shqetësuar se me qëllim ose pa dashje, ne mund të krijojmë një situatë që mund të çojë në fillimin e luftës. Dhe unë mendoj se nëse kjo ndodh, ne do të flasim për një luftë të vazhdueshme", tha senatori nga Vermonit, Bernie Sanders.

Lufta e fjalëve vazhdoi në Twitter, me një mesazh të Ministrit të Jashtëm të Iranit për Presidentin Trump, në të cilin thuhej "Provo respektin. Ai funksionon". Tërheqja e administratës së Presdentit Trump nga marrëveshja bërthamore me Iranin ia hoqi Amerikës kapitalin politik, thonë demokratët.

"Nëse iranianët nuk janë të gatshëm të flasin dhe po rrisin veprimet e tyre provokuese në rajon, kjo duket si një goditje e madhe kundër politikës tonë aktuale (ndaj Iranit)", tha senatori demokrat Chris Murphy.

Por qëndrimi më i ashpër i Shteteve të Bashkuara ndaj programit bërthamor të Iranit ka ndihmuar, thanë republikanët.

"Ne jemi në një pikë, kur po i kundërvihemi regjimit dhe po ripërcaktojmë rregullat e angazhimit. Pra, po ua bëjmë të ditur se na keni sulmuar në të kaluarën, keni dërguar eksplozivë gjatë luftës në Irak që është përdorur për vrasjen e të paktën 300 amerikanëve. Atyre ditëve u ka ardhur fundi", thotë senatori republikan Lindsay Graham.

Por, sipas demokratëve, ky është një qëndrim i lidhur me politikën e jo një politikë e qartë për Iranin.

"Sekretari Pompeo bëri një argument shumë të gjatë politik. Ai foli për 10 minuta mbi veprimet e tmerrshme të Iranit, derisa e ndërpreva, ashtu si çdo ligjvënës tjetër dhe i thashë: "Ne e dimë se Irani është i keq. Mirë, por cila është politika jonë e lëvizjes përpara?'", u shpreh Adam Smith, Kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve.

Shqetësimet e brendshme politike mund t’ia vështirësojnë Presidentit Trump përpjekjen për të marrë mbështetjen e kongresit për strategjinë e tij ndaj Iranit. Përçarjet në vija partiake mbi politikën e jashtme vijnë në një kohë kur një numër në rritje i demokratëve po kërkojnë fillimin e procedurave për shkarkimin e Presidentit.