Ekstremizmi i dhunshëm në Ballkanin Perëndimor

Your browser doesn’t support HTML5

Ekstremizmi i dhunshëm në Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor vazhdon të vuajë pasojat e përhapjes së ideologjive të ekstremizimt të dhunshëm me bazë fetare. Kthimi në vendlindje i luftëtarëve të huaj, paraqet rrezik të madh, thonë ekspertët e sigurisë. Këto komente u bënë në një konferencë të organizuar në Uashington nga fondacioni gjerman Berghof dhe Programi për Menaxhimin e Konflikteve i universitetit Johns Hopkins. Konferencën e ndoqi kolegu Burim Goxhuli.

Të dhënat e Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, tregojnë se vetëm nga Kosova, në periudhën 2013-2014, 294 individë iu bashkuan organizatave terroriste në Siri dhe Irak.

Nga viti 2015 deri në vitin 2018, kësaj shifre iu bashkuan edhe 82 persona tjerë.

Shumica e shteteve të Ballkanit, vazhdojnë të përballen me problemin e ekstremizit të dhunshëm fetar.

"Në rajon janë rreth 900 persona, duke përfshirë luftëtarë të huaj, gra e fëmijë, që udhëtuan drejtë Sirisë dhe Irakut për t'iu bashkuar organizatave terroriste”, thotë Skender Perteshi, nga Qendra për Studime të Sigurisë.

Këto të dhëna u publikuan në konferencën mbi ekstremizmin e dhunshëm në Ballkanin perëndimor, organizuar nga programi për menaxhimin e konflikteve dhe fondacioni Berghof.

Sipas Engjëllushe Morinës nga fondacioni Berghof, veç ideologjisë, një nga shkaktarët kryesorë që ka ndikuar në radikalizimin e të rinjëve të Ballkanit është edhe mosfunksionimi si duhet i institucioneve shtetërore në nivel lokal.

"Faktorët që i ndihmuan ekstremizmit të dhunshëm janë dallimet në ideologji dhe identitetin fetar, institucionet jo-funksionale dhe humbja e besimit në institucione shtetërore por edhe ato fetare. Cilësia e edukimit dhe niveli i edukimit fetar është një faktor tjetër, siç është edhe papunësia, ndonëse jo ndër shkaktarët e pare sidomos tek të rinjtë", thotë Engjellushe Morina.

Ekspertët po ashtu theksuan se shkaqe tjera që sollën ekstremizmin janë aktivitetet e pakontrolluara të disa organizatave jo-qeveritare, institucionet paralele fetare në disa vende si dhe rrjetet sociale.

Por, sot kur organizata terroriste ISIS është drejtë shuarjes, Ballkani ndeshet me një rrezik tjetër.

Kthimi në shtëpi i luftëtarëve të huaj, duhet të vëzhgohet me kujdes, thotë Skender Perteshi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë.

"Kthimi i tyre në Kosovë dhe rajon është me rrezik, sepse ata pas vetes kanë një përvojë shumë të madhe, që e kanë marrë në luftë. Pas vetes sjellin një ideologji ose një nivel shumë më të madh të radikalizmit, që e kanë marrë në vendet ku kanë qenë. Mos të harrojmë se këta në kohën sa qëndruan në Siri dhe Irak, kanë ndërtuar një rrjet ndërkombëtar të terroristëve, që kanë kontakte jo vetëm me shqiptarët që janë atje, por edhe me individë të vendeve tjera të Lindjes së mesme dhe vendeve të Evropës. Edhe nuk e dimë arsyen, pse realisht janë kthyer, a janë kthyer se me të vërtetë janë kundër ideologjisë së përgjithshme për vendimit që e kanë marrë apo janë kthyer për shkak se kanë qenë të zhgënjyer me ISIS-in si organizatë, që nuk ka arritur t’i mbërrij qëllimet e tyre në përgjithësi."

Riintegrimi i këtyre personave do të kërkojë kohë dhe vullnet të institucioneve dhe shoqërisë. Megjithatë, Engjellushe Morina nga Fondacioni Berghof, mendon se ky proces është sfidë e madhe duke ditur se faktorët që çuan në ikjen e këtyre personave në zona lufte, nuk janë përmirësuar ende.

"Procesi i riintegrimit nuk do të thotë vetëm arrestimi dhe procesi gjyqësor i këtyre individëve, por plane të tjera të riintegrimit në shoqëri, ku shumica prej faktorëve dhe aktorëve kyç nuk kanë ndryshuar, lënë shumë për të dëshiruar dhe pak për të besuar se të kthyerit do të integrohen si duhet”, thotë Engjellushe Morina.

Muajin e kaluar, në Kosovë janë kthyer 110 persona nga vatrat e luftës. Shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë.

Rreth po aq persona ishin kthyer në Kosovë në periudhën 2013-2014, mirëpo atëherë shumica prej tyre ishin luftëtarë të huaj.

Kosova ka nisur zbatimin e programit të riintegrimit, por ekspertët rekomandojnë më shumë bashkëpunim midis autoriteteve lokale dhe atyre shtetërore.