Ipeshkvijtë e Shqipërisë, thirrje për gjetjen e rrugës së dialogut

  • Pëllumb Sulo

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë reaguan të martën në lidhje me situatën e tensionuar politike të ditëve të fundit në vend. Në një deklaratë të publikuar në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, ipeshkvijtë shprehen se po ndjekin me shqetësim e keqardhje të madhe situatën aktuale që po kalon vendi.

“U bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë liderëve të dy partive të mëdha: Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që të ulin armët e konfliktit, sikurse janë gjuha urrejtjes dhe arroganca, e të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut. Të nxiten me këmbëngulje qytetarët që të heqin dorë nga çdolloj forme dhune dhe vandalizmi. Kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do atdheun! Në këtë situatë, ne, me vendosmëri i themi JO DHUNËS, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve”.​

Duke shprehur paanësinë e tyre dhe respektin për parimet shpirtërore, kushtetuese dhe ligjore, ipeshkvijtë shprehen se, pozita dhe opozita duhet të diskutojnë së bashku për të gjetur zgjidhjet e duhura duke kërkuar të mirën e përbashkët, e cila ka përparësi mbi të mirën e partisë.​

“Në situatën aktuale nuk ka kohë më për të humbur, sidomos për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për afrimin e vendit me Bashkimin Evropian”.

Ipeshkvijtë shprehen se i bashkohen mesazhit të partnerëve evropianë se “është koha e duhur që t’i dërgojmë botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe ne shqiptarët jemi të aftë për t’i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore dhe demokratike”.