Ndotja e lumit Drina në Bosnje

Në vend të riciklohen, mbeturinat po përfundojnë në pellgun e lumit Drina në Bosnje Hercegovinë. Dëmet që po i shkaktohen ujit dhe tokës janë të mëdha. Banorët ndihen të pashpresë nëse lumi ndonjëherë do të marrë pamjen që kishte dikur. Ambientalistët akuzojnë qeverinë ndërsa zyrtarët premtojnë se do të ballafaqohen me problemin, ndërkohë që gjendja e lumit që po shkatërrohet çdo ditë.

Parë nga lart duket si një ishull. Por, pamja është dëshpëruese kur e shikon nga afër. Shishe plastike, makina të vjetra e të ndryshkura kanë përfunduar në pellgun e lumit Drina në Bosnje Hercegovinë, duke e kthyer atë në depo mbeturinash.Ambientalistët thonë se ndotja, tashmë ka mbërritur kulmin.

“Kemi shumë mbetje plastike. Besojmë se çdo ditë hidhen mes 100 dhe 200 ton mbetje plastike dhe kjo është sasi e madhe. Kur lumi del nga shtrati shihen pasojat,tonelata trë tëra mbeturinash lundrojnë mbi lumë”, thotë Anes Podiq, me “Eco Action”.

Në fakt, egziston një arsye pse gjithë këto mbeturina përfundojnë në lum. Qytetarët nuk kanë ku t’i hedhin ato dhe për më tepër nuk ka kompani riciklimi në rajon. Prandaj lumi Drina ka marrë këtë pamje të shëmtuar. Por, vizitat e fundit të zyrtarëve japin shpresë për një zgjidhje të këtij problemi.

Srebrenka Goliq është Ministër i Planifikimit dhe Mjedisit në Republika Serbska

“Kjo është hera e parë që kemi vullnetin të përballemi me mbeturinat. Jam këtu me ministrat nga Serbia dhe Mali i Zi dhe mund të them se të gjithë duam ta zgjidhim problemin, për hir të njerëzve që jetojnë përreth lumit Drina.”

Ambientalistët shprehin domosdoshmërinë që banorëve të zonës t’u ofrohen shërbime të rregullta nga qeveria, për grumbullimin e mbeturinave.

“Thuhet shpesh se njerëzit këtu nuk janë të ndërgjegjshëm për pasojat ndaj mjedisit dhe se banorët janë fajtorë për gjendjen e krijuar. E vërteta është krejt ndryshe. Qeveria është fajtore. Ata nuk arritën të kryejnë një prej detyrave kryesore, që është mbledhja e mbeturinave”, thotë Anes Podiq, me “Eco Action”.

Mbeturinat në lum, krijojnë vështirësi të shumta për ata që jetojnë nga peshkimi.

Hamdija Kandiç thotë se një pjesë e mirë e peshqve janë zhdukur.

“Kishte disa lloje peshqish në këtë lum. Por ata po ngordhin. Gati s’ka mbetur asnjë.”

Problemi i mbeturinave vazhdon të rritet, ndonëse zyrtarët lokalë thonë se çdo vit nxirren rreth 800 mijë ton mbetje.

Lumi Drina rrejdh nëpër Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi. Dikur ky lum ishte i njohur për ujin e pastër dhe pamjen mahnitëse, duke tërhequr turistë të huaj.

Probleme të ngjashme egzistojnë pothuajse në tërë Ballkanin Perëndimor, pasi këto vende kanë bërë pak për të ndërtuar një sistem efektiv të grumbullimit të mbeturinave dhe mbrojtjes së mjedisit. Shtetet e Ballkanit kërkojnë hyrje në Bashkimin Evropian, por gjendja në terren bie ndesh me ligjet dhe rregullat e familjes evropiane.