Duke folur me gazetarët të hënën në Stokholm, një zyrtare seudeze e drejtësisë, tha se "ka ende shkaqe të mundshme për të dyshuar se Julian Assange ka kryer përdhunim", duke shtuar se është e nevojshme që ai të merret përsëri në pyetje.
Zyrtarja tha se rrethanat tani lejojnë ekstradimin e Julian Assange-it nga Britania. Megjithatë, tha ajo, i mbetet Britanisë të vendosë nëse do ta ekstradojë atë në Suedi, apo në Shtetet e Bashkuara, ku ai kërkohet për t'u përballur me akuzat për komplot për sulm ndaj kompjuterave të Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
Duke reaguar ndaj vendimit të Suedisë, kryeredaktori i WikiLeaks Kristinn Hrafnsson tha në një deklaratë se rihapja e çështjes do t'i japë Julian Assange-it një shans për të pastruar emrin e tij.
"Që kur Julian Assange u arrestua më 11 prill 2019, ka patur një presion të konsiderueshëm politik mbi Suedinë për të rihapur hetimin për çështjen e përdhunimit, por gjithnjë ka patur presion politik rreth këtij rasti," tha Hrafnsson.
Prokurorët suedezë ngritën fillimisht akuza kundër Julian Assange në vitin 2010. Hetimi ndaj akuzave për ngacmime seksuale u hodh poshtë shtatë vjet më pas, pasi Assange hyri në ambasadën e Ekuadorit dhe statuti i kufizimeve pastaj skadoi.
Statuti i kufizimeve për çështjen e rihapur të përdhunimit skadon në gusht të vitit 2020. Në këtë rast hetimi do të pezullohej, nëse nuk do të jenë arritur përfundime.