Shqipëria sot është në ditë zie, në nderim të ushtarakes Zarife Hasanaj e cila humbi jetën pak ditë më parë gjatë një misioni në Letoni. Ushtarakja 32 vjeçare u shpall Dëshmore e Atdheut. Trupi i saj u soll nga Letonia një ditë më parë ndërsa sot në Tiranë u mbatën homazhet.
Familjarë, të afërm, kolegë dhe autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit morën pjesë në ceremoninë mortore. Presidenti Ilir Meta u shpreh se “rënia e saj në krye të detyrës, është dëshmi e përkushtimit të Forcave tona të Armatosura dhe të Shqipërisë në çdo angazhim dhe mision të NATO-s”. Ndëersa në fjalën e tij në ceremoninë mortore kryeministri Edi Rama tha se “vajza, e mbështjellë me flamurin e atdheut, është sot mishërimi tronditës i së vërtetës së përditshme të besnikërisë ndaj atdheut, të përkushtimit dhe të sakrificës për atdheun, që e kanë krijuar dhe e rikrijojnë përditë në kryerjen e misionit të saj, qenien e patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme të Forcës së Armatosur të Republikës, një bashkësi burrash e grash, vajzash e djemsh që jetojnë çdo ditë, çdo orë të ditës dhe të natës, me misionin që të na mbrojnë të gjithëve ne nga çdo kërcënim i jashtëm dhe të sigurojnë vendin dhe dinjitetin e merituar për Shqipërinë në bashkësinë e madhe të familjes së popujve të rreshtuar në anën e duhur të historisë, krah për krah në çdo sfidë dhe mision të NATO-s”, u shpreh kyeministri Edi Rama në fjalën e tij.
Arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u përcoll më pas në Varrezat e Dëshmorëve. Nëntetarja Hasanaj humbi jetën gjatë një stërvitje në bazën e Natos në Letoni. Efektivët e ushtrisë shqiptare kishin si detyrë bonifikimin e një zone ku një ditë më parë ishte kryer stërvitje me të shtëna artilerie. Mësohet se ata kanë hasur në disa predha të paplasura, njëra prej të cilave ka shpërthyer, duke lënë të plagosur dhe dy ushtarakë të tjerë.