Presidenti Donald Trump u tha sot gazetarëve se ka filluar përgatitja e dokumentacionit për të vendosur tarifa të reja më të rënda ndaj produkteve kineze. Deklarata e Presidentit u bë vetëm pak orë përpara se të rifillonin bisedimet mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Kina thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në rast se Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë vendosjen e tarifave të reja ndaj mallrave kineze. Ndërkohë, kryenegociatori kinez takohet sot në Uashington në kuadrin e një raundi të ri bisedimesh për t’i dhënë fund luftës tregtare.
Zëvendëskryeministri kinez Liu Hë, i cili është edhe këshilltari kryesor ekonomik i Presidentit kinez, takohet sot me Përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara për Tregtinë, Robert Lighthizer dhe Sekretarin e Tregtisë Steven Mnuchin, një ditë përpara se të vendoset rritja e mëtejshme e tarifave, nga niveli 10% në 25%, për mallrat kineze të importit me një vlerë prej gati 200 miliardë dollarësh.
Presidenti Donald Trump pati vendosur ditën e premte, si afatin për rritjen e mëtejshme të tarifave, pasi Shtetet e Bashkuara akuzuan Kinën këtë javë se ka braktisur angazhimet e ndërmarra gjatë bisedimeve të muajve të fundit.
Në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë, Gao Feng, i tha gazetarëve se Kina mezi pret të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Shtetet e Bashkuara, por se do të qëndrojë me vendosmëri përballë kërkesave të Uashingtonit.
Administrata Trump shpreson se tarifat e reja do ta detyrojnë Kinën të ndryshojë praktikat e saj të tregtisë, subvencioneve dhe pasurisë intelektuale.
Palët nuk kanë arritur dot një gjuhë të përbashkët, kryesisht për shkak të jodakortësisë për mënyrën se si do të zbatohej marrëveshja dhe për një program kohor për heqjen e tarifave.