Ballkani-BE, Krerët e Shteteve të rajonit në Tiranë

Tirana është sot mikpritëse e Takimit të Udhëheqësve shtetërorë të Procesit të Brdo-Brijunit.

Your browser doesn’t support HTML5

Takimi i procesit Brdo-Brijuni

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ftuan në në Samitin e Tiranës tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović, si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić.

Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Presidenti Meta tha pas takimit se diskutuan për krijimin e një hapësire tërheqëse për investime në rajon. Pjesëmarrësit vlerësuan marrëveshjen e Prespës si dhe theksuan zbatimin e gjithë marrëveshjeve të arritura nga palët, ndërsa u angazhuan për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Presidenti polak Andrzej Duda tha se diskutimet u përqëndruan për qëndrueshmërinë në këtë pjesë të Europës, e cila po përpiqet të antarësohet në BE. Sipas tij, stabiliteti do të sjellë zhdukjen e problemeve. “Të gjitha këto cështje duhet të zgjidhen në rrugën drejt BE këtu në Ballkanin Perëndimor. Është një detyrë e rëndësishme e BE-së që të mbështesin dialogun këtu” - tha zoti Duda.

Presidentja kroate Kitaroviç tha se kjo pjesë e Europës duhet të tërheqë vëmendjen e BE-së. “Kur flas me kolegë në Europë, atje ka mungesë interesi për këtë rajon, krahas moskuptimit. Kjo pjesë e Europës duhet të bëhet pjesë e interesit europian. BE është e paplotë, dhe këto vende duhet përfshirë në të” - tha ajo.

Sipas saj, vendet e Europës juglindore duhet të përfshihen. “Jam e shqetësuar me një progres të paarritur. Nuk mund të largohen problemet me një buton. Negociatat do të nisin me Maqedoninë dhe me Shqipërinë. Ne do të vazhdojmë të argumentojmë hapat që ato duhet të bëjnë në këtë rrugë” - tha zonja Kitaroviç.

“Jam e frikësuar nga situata që kemi tani, situata nëpër botë, diskutimi që kemi në BE. Ne po humbim interes, po krijohet një vakum. Reformat nuk i kërkon BE për ju, por ju vet keni nevojë për to. Duhen dy veta për të vallzuar tango. Muzika ka një kohë të gjatë që po luhet” - tha ajo.

“Pas zgjedhjeve europiane procesi zgjerimit nuk do të jetë më në krye të agjendës së punëve të Komisionit Europian. - Presidenti slloven, Pahor, - Varet nga ne t’i marrim këto cështje të hapura dhe ti bëjmë tërheqëse për BE. Pas zgjedhjes së Komisionit të ri është koha për Brukselit të shikojë procesin e zgjerimit ndaj Ballkanit në një mënyrë të re.

Në takim mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i cili komentoi më shumë për mediat lidhur me bisedimet Kosovë - Serbi.

Pa rolin udhëheqës të SHBA nuk mund të ketë as dialog të suksesshëm e lëre pastaj ndonjë marrëveshje e zbatim. Mundësitë për dialog janë shpresoj ende se do të arrihet brenda vitit, mes vendeve të pavarura dhe sovrane, e theksoj me përfshirjen e Luginës së Preshevës në territorin e Kosovës pa cënuar asnjë centimetër të saj.

Pavarësisht se dëgjohen ide të ndryshme, nuk do të lejojmë që në Kosovë të krijohet asnjë asociacion, as me mandate ekzekutive apo tjetër, sepse ngjall një model të Republikës serbe dhe krjimi i një modeli të tillë do të ndikonte në ndarjen e Kosovës dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të vihet në tavolinë nga askush" - tha presidenti Thaçi.

Ai u tha gazetarëve se ishte çuditur kur gjeti në Tiranë anëtarin serb të presidencës së Bosnje- Hercegovinës, Milorad Dodik, se ai nuk ftohet askund dhe kjo ishte dalja e parë në një takim ndërkombëtar, por kjo I mbetej organizatorëve.

Më pas Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mungoi në drekën e përbashkët, pas Takimit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku ishin ftuar edhe Dodik edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç krahas politikanëve të tjerë. Prania e këtyre të fundit besohet se solli mungesën e zotit Thaci në drekën e përbashkët, ndonëse punonjës nga presidenca shqiptare thanë se ai ishte I ftuar dhe nuk dihen arsyet e mungesës.

Organizatorët pohuan se ky Samit i Liderëve në Tiranë, që përkon me “Ditën e Evropës”, pasqyron aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010 për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin, forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të vendeve në rajon.