Teqeja e parë shqiptare e Amerikës feston 65-vjetorin

  • Ilir Ikonomi

Your browser doesn’t support HTML5

Teqeja e parë bektashiane shqiptare e Amerikës mbushi 65 vjet. Teqeja ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe u themelua nga Baba Rexhepi, i cili për komunitetin bektashian, por edhe për shqiptarë të tjerë ka statusin e një shenjti. Në kompleksin e Teqesë ndodhet edhe Tyrbja e Baba Rexhepit. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte të dielën në Tejlor dhe na dërgoi këtë material.

Dervishi i Teqesë bektashiane shqiptare është Eliton Pashaj. Ai është njeri energjik dhe e njeh mirë komunitetin.

Në zyrën kryesore ku priten njerëzit dominon portreti i Baba Rexhepit, themeluesit të komunitetit bektashian të shqiptarëve të Amerikës. Ai erdhi në Amerikë në vitin 1952, për t’iu larguar përndjekjes së komunizmit pas luftës dhe ndërtoi këtë teqe.

“Shqiptarët kur vinin në Teqe e ndienin sikur shkonin në Shqipëri.Teqeja ishte si Shqipëria e vogël. Vinin qanin hallet të gjithë ballistët, nacionalistët dhe zogistët. Teqeja ishte vendi ku të gjithë i harronin bindjet politike të veçanta dhe bashkoheshin për të qarë hallet për Shqipërinë. Dhe Baba Rexhepi i frymëzonte dhe i mbante me shpresën se një ditë Shqipëria do të jetë e lirë dhe të gjithë do të arrinin të shikonin familjet e tyre.”

Teqeja është një ndërtesë e hijshme, e ndërtuar me punën e shqiptarëve dhe mbahet me shpenzimet e tyre. Por donacionet e besimtarëve nuk mjaftojnë. Baba Rexhepi ka lënë disa apartamente dhe me qeranë e tyre paguhen shpenzimet.

“Këto janë apartamentet që Baba Rexhepi i ka bërë përpara se të hapej Shqipëria.”

Dervishi i Teqesë na fton të vizitojmë vendin e shenjtë pak metra më larg. Këtu prehet Baba Arshiu, një tjetër figurë e rëndësishme e komunitetit.

Francis Trix është studiuese e sufizmit dhe prej një kohe të gjatë ka marrë mësime nga Baba Rexhepi.

“Nisa të studioja me Baba Rexhepin kur isha studente dhe vazhdova deri sa ai ndërroi jetë në vitin 1995.”

Zonja Trix është autore e dy librave për Baba Rexhepin.

“Doja që bota të dinte për Baba Rexhepin sepse ai ishte i jashtëzakonshëm. Vëzhgoja se ai ai komunikonte me njerëzit. Ishte shumë i mençur dhe nuk kritikonte kurrë. Ai mbante të veshur rrobën e gjatë, hirka, për të cilën thoshte se e kishte për të mbuluar mëkatet e të tjerëve. Ai ishte një shenjt. Njeri si ai nuk gjeje. Dinte shtatë gjuhë dhe kishte njohuri për islamin klasik, atë suni dhe natyrisht për islamin mistik.”

Tradita bektashiane, thotë zonja Trix është shumë e pasur. Janë 700-800 vite traditë poetike, dituri, njohuri mistike për Islamin.

Sot, komuniteti është mbledhur për të festuar 65-vjetorin. Nga Shqipëria ka ardhur Baba Mondi, udhëheqësi botëror i urdhrit Bektashi. Imam Shuajb Gërguri përfaqëson komunitetin mysliman, ndërsa Dom Ndue Gjergji, përfaqëson katolikët.

“Ne me këtë komunitet na lidhin ata tre themeluesit e mëdhenj të tre qendrave tona fetare: Baba Rexhepi, Vehbi Ismaili i Qendrës Islamike dhe Dom Prengë Ndrevashaj i kishës sonë Zoja Pajtore. Kanë qenë tre njerëz me vizione, tre njerëz të mëdhenj, të cilët në mërgim u kanë dhënë njerëzve tanë shpresën, besimin, vlerat tona kombëtare. Ajo që kleri ynë gjithnjë e ka thënë, feja, atdheu. Unë nuk dalloj; bektashinjtë, të krishterët dhe katolikët tanë jemi një.

Teqeja sot ka një rol më të ndryshëm se më parë.

“Një pjesë e madhe e komunitetit që ne kemi këtu është sepse ne sot vazhdojmë që fëmijëve shqiptarë t’u mësojmë gjuhën shqipe. Kemi klasat ku çdo fundjavë u bëjmë mësim për gjuhën dhe për fenë bektashiane.”

Michael Malushi është student.

“Brezi i ri është shumë i zënë me shkollë dhe gjëra të tjera. Është e vështirë që ata të vijnë këtu, por sa herë që vijnë ndihen të lumtur. Është një vend i shkëlqyer nga ana shpirtërore, një vend ku mëson shumë dhe ku të rinjtë ndihen mirë për veten e tyre.”

Por nëse Teqeja do të arrijë të mbledhë rreth vetes më shumë të rinj për të përçuar traditën e saj tashmë 65-vjeçare, të një Shqipërie të vogël në Miçigan, kjo mbetet për t’u parë.