Qeveria e Venezuelës: "Përpjekje për grusht shteti në Karakas"

A Venezuelan National Guard joins anti-government protesters in a march showing support for opposition leader Juan Guaido in Caracas, Venezuela April 30, 2019.

Qeveria socialiste e Venezuelës tha të martën se në Karakas është duke u zhvilluar "një përpjekje për grusht shteti", pasi Juan Guaido, udhëheqësi i opozitës dhe presidenti i përkohshëm i vetëshpallur, doli nëpër rrugë me trupat ushtarake, për të cilat zoti Guaido tha se i ishin bashkuar përpjekjes së tij për të rrëzuar presidentin Nikolas Maduro.

Zoti Guaido, i cili mbështetet nga Uashingtoni tha se: "Ushtarë të guximshëm, patriotë të guximshëm, burra të guximshëm që mbështesin kushtetutën, i janë përgjigjur thirrjes".

Besnikët e Nikolas Maduros përdorën gazin lotsjellës ndaj demonstruesve jashtë një baze ushtarake. Por pamjet televizive tregonin ushtarë dhe mbështetës të Juan Guaidos në bazën kryesisht bosh, të cilët nuk dukeshin në gjendje urgjence.

Guaido u shfaq së bashku me politikanin e opozitës, Leopoldo Lopez, i cili ishte vënë nën arrest shtëpiak nga Maduro, por që tha se ishte “liruar" nga ushtarët që mbështesin Guaido.

Lopez postoi një fotografi të ushtarëve në Twitter, me mesazhin, "Venezuela: faza përfundimtare për t'i dhënë fund pushtimit, Operacioni Liria, ka filluar".

Por ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez deklaroi në Twitter se situata në kazermat dhe bazat ushtarake të vendit është "normale" dhe se ushtria mbron me vendosmëri Maduron.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump "është informuar dhe se situata është duke u ndjekur nga afër”.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se situata në Venezuelë është shumë serioze dhe se vendi ndodhet në një moment tepër delikat. Ai u bëri thirrje zyrtarëve të lartë venezuelianë, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez, që t'i bindin komandantët ushtarakë për t'iu bashkuar Juan Guaidos. "Ne duam një tranzicion paqësor të pushtetit dhe mbështesim popullin e Venezuelës", - tha zoti Bolton.

Më parë, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, pati thënë se: "Presidenti i përkohshëm Juan Guaido, njoftoi fillimin e operacionit Liria. Qeveria e SHBA mbështet plotësisht popullin e Venezuelës në përpjekjet e tyre për liri dhe demokraci. Demokracia nuk mund të mposhtet ".

Pavarësisht mungesës në masë të ushqimeve dhe ilaçeve dhe një ekonomie të dështuar në Venezuelë, regjimi socialist i Maduros ka vazhduar të qëndrojë në pushtet me mbështetjen e shumicës së ushtrisë së vendit. Dy mbështetësit më të mëdhenj të Venezuelës, Rusia dhe Kina, gjithashtu kanë vazhduar të mbështesin Maduron.

Ndërkohë, SHBA, një nga 50 vendet që kanë njohur Guaidon si udhëheqës legjitim të vendit, kanë vendosur sanksione ndaj Karakasit në një përpjekje për të frenuar shitjen e naftës jashtë vendit.

Presidenti i Kolumbisë Ivan Duque bëri thirrje në Twitter që "ushtarët dhe populli i Venezuelës të qëndrojnë në anën e duhur të historisë, duke hedhur poshtë diktaturën dhe pushtimin e Nicolas. Maduro-s".

Por Spanja, e cila gjithashtu njeh Guaidon si udhëheqës legjitim të Venezuelës, tha se nuk mbështeste një grusht ushtarak shteti. Madridi tha: "Ne ... nuk kemi asnjë dyshim se zgjidhja për Venezuelën duhet të vijë përmes zgjedhjeve dhe se Spanja nuk mbështet asnjë grusht ushtarak". Guaido kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës. Ai evokoi kushtetutën për t’u shpallur president i përkohshëm në janar pasi e quajti udhëheqjen e Maduros të paligjshme, për shkak të mashtrimeve në zgjedhje.