Gratë në Shqipëri janë aktore të rëndësishme të prodhimit bujqësor, dhe përbëjnë afro gjysmën e forcave të punës në këtë sektor. Bujqësia ende ka probleme të thella, dhe të qënit grua i dyfishon vështirësitë. Gratë hasen me informalitetin, konkurecën e pandershme, punën e papaguar, aksesin e ulët në pronësi dhe shpeshherë edhe me presione të formave të ndryshme. Zyrtarët mendojnë se ende ka shumë punë për të bërë, ndërsa ekspertët sugjerojnë bashkimin e tyre në grupe për të maksimalizuar fuqitë.
Gratë në Shqipëri përbëjnë afro 50 për qind të forcave të punës në bujqësi, duke marrë një rol të rëndësishëm në këtë sektor që zë rreth 19 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në vend. E megjithëse ato janë aktore të rëndësishme, vetëm 7 për qind e tyre janë pronare të fermave. Duke ju referuar shembujve ka arsye të forta për këtë shifër të ulët. Ejona braktisi 4 vjet më parë profesionin e ekonomistes për të ndërtuar një fermë të rritjes së dhive dhe te përpunimit të qumështit të qumështit në një zonë rurale në Durrës.
“Gjithmonë pyetja kryesore, apo kërkimi që bënin bankat ishte, kush është pas teje. Nuk i besonin krahëve, pasionit dhe formimit të një gruaje që mund ta bënte këtë punë. Fillimi ka qenë i vështirë. Nuk mundej një femër të drejtonte burrat, barinjtë. Nuk mund të ngrije zërin para atyre se të ikin të linin tufën. Gjë që në fakt ndodhi. Duhej të çohesha vetë në 5 të mëngjesit, të futesha vetë në mjelje, deri sa t’i sistemoja”- rrëfen Ejona Zaimaj, fermere.
Edhe Silvana Subashi drejtuese e një fabrike të përpunimit të vajit të ullirit në periferi të Tiranës, flet për vështirësitë e të qënit grua në tregun e vajit të ullirit.
“Tregu u vajit të ullirit në Shqipëri është kaos, jo vetëm për gratë, por edhe për burrat. Nuk ka rregulla të përcaktuara. Për një grua është dyfish më e vështirë” – thotë Silvana Subashi, Presidente e Shoqatës Shqiptare të Vajit të Ullirit.
Por Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raporton shifra në rritje të grave aplikuese dhe fituese të granteve në bujqësi. Nga 159 fituese në 2017 në 627 2018. Kjo rritje është nxitur dhe nga sistemi i pikëzimit që favorizon gratë thonë zyrtarët.
“Ndryshe nga herët e tjera skemat kanë patur në fokus një nënsektor në të cilin gratë shqiptare janë të punësuara, siç janë produktet tradicionale, pjesa e inkubatorëve. Për të shmangur mënyrën jashtë standarteve të gatimit të prdokteve tradicionale si trahanaja, petkat, glikotë është menduar që të krijohet një inkubator, që quhet ambjenti në të cilin zonjat shkojnë dhe prodhojnë produktet e tyre”- shpjegon Zv. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ermira Gjeçi.
E megjithatë sfidat janë të shumta, një prej tyre mbetet aksesi i ulët i grave të zonave rurale në pronësi. Sipas kodit të familjes kryefamiljari është ai, që mban raportet e familjes me palët e treta dhe gruaja nuk është përfituese e vlerave monetare në familje.
“Janë 44 mijë familje fermere që merren me ullirin. Në të gjitha këto familje janë gratë ato që bëjnë punimet kryesore në pjesën e ullishtes. Ato janë si bletët punëtore që punojnë gjatë gjithë kohës dhe në fund kur vilet kjo djersë, kur merret paraja në dorë, rolin thelbësor të vjeljes së parave është drejtpërsëdrejti kryefamiljari”- pohon Silvana Subashi, Presidente e Shoqatës Shqiptare të vajit të ullirit.
“Gratë janë prodhueset kryesore të produkteve shqiptare në zonat rurale, por kanë disa probleme që duhen zgjidhur. Pengesa kryesore që kanë gratë në zonat rurale lidhet me aksesin në pronësi”- shprehet Arben Kipi, Asistent përfaqësues i FAO në Shqipëri.
“Problematikat që lidhen me pronësinë e grave janë trajtuar jo vetëm tek ligji i ri për noterinë, por janë trajtuar gjithashtu me disa akte nënligjore të Ministrit të Drejtësisë, sepse një grua ka të drejtë të mos diskriminohet, dhe ka të drejtë ta barabartë me burrin” -thotë Merita Xhafaj, eksperte në Ministrinë e Shëndetësisë dhe çështjeve sociale.
Zyrtarët thonë se po punohet dhe për krijimin e lehtësirave për gratë në zonat rurale, si shtimi i kopshteve, qasja e grave në teknologji si dhe trajnime të ndryshme. Por sfidat janë të shumta. Gratë në bujqësi mbeten në masë dërrmuese të pasiguruara, për shkak të asaj që quhet punë e papaguar.
“Kjo pronë private punohet, kthehet në product. Natyrisht që sigurohen të ardhura. Dhe pikërisht sigurimi i të ardhurave, sjell dhe detyrimin për sigurimin e personit”- thotë Merita Xhafaj, eksperte në Ministrinë e Shëndetësisë dhe çështjeve sociale.
“Mënyra më e mirë për formalizimin është bashkimi në grup, sepse formalizimi duhet të shoqërohet me masa mbështetese që motivojnë fermerërt përfshirë dhe gratë” - shprehet Arben Kipi, Asistent përfaqësues i FAO në Shqipëri.
Një prej probleme të mëdha mbetet konkurenca e pandershme dhe tregu informal.
“Është një problem sot e 15 vjet që kur ne e kemi hapur fabrikën e vajit të ullirit. Në Shqipëri janë 480 fabrika të vajit të ullirit. Vetëm 300 janë të regjistruara. Pjesa tjetër punojnë dy muaj, i fusin çelësin dhe ikin. Ti që je i regjistruar, i liçensuar dhe që i plotëson të gjitha standardet për prodhimin e vajit të ullirit, ty të vijnë dhe kontrollet. AKU nuk mund të shkojë në një ambjent që nuk është i regjistruar, vetëm nëse denoncohet nga tatimet”- thotë Silvana Subashi, Presidente e Shoqatës Shqiptare të vajit të ullirit.
“Përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që kontrollon gjithë zinxhirin ushqimor, ku është dhe pjesa e gjurmueshmërisë që nga ferma drejt tavolinës dhe e kundërta, nëse kontrollohen supermarketet. Ka patur inisiativa të tilla që të pengohet informaliteti. Patjetër që kërkon një bashkëpunim me strukturat e tjera të qeverisë siç është zyra e tatimeve, por duhet të themi se nuk jemi ende atje ku duhet të jemi” - shpjegon Zv. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ermira Gjeçi.
“Konkurenca nuk është e hapur, është sulmuese deri në falimentim dhe ti në një moment zgjohesh dhe thua sikur të isha burrë. Ndihesh e kërcënuar por aktualisht nuk heq dorë sepse është jeta ime”- shprehet Ejona Zaimi, fermere.