Ndryshimet klimatike dhe ndihma që japin pyjet

  • Steve Baragona

Ekspertët thonë se natyra siguron disa nga mënyrat më të mira për heqjen nga atmosfera të dioksidit të karbonit, që shkakton ngrohje. Ruajtja dhe rikuperimi i pyjeve është njëra prej këtyre mënyrave. Në Virxhinian Perëndimore, minerat e qymyrit e kanë dëmtuar tokën dhe ekspertët po punojnë për rikuperimin e pyjeve që dikur mbulonin hapësirat e gjera të Maleve Apalashe në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara.

Thellë në Pyllin Kombëtar Monongahela të Virxhinias Perëndimore, gjenden pyje të rralla e të virgjëra.

"Në Tokën tonë nuk ka shumë vende të cilat nuk i ka prekur dora e njeriut", - thotë Shane Jones.

Shane Jones është biolog në Shërbimin Pyjor të Shteteve të Bashkuara. Ai thotë se një gabim me hartat që u krijuan dekada më parë, i shpëtoi këto pyje. Diçka shumë e mirë, pasi pyjet me bredha si ky, shquhen për thithjen e dioksidit të karbonit, që ngroh atmosferën dhe grumbullimin e tij brenda tokës.

"E shihni të gjithë këtë material organik? Është i zi, pasi ka përmbajtje tepër të madhe karboni."- thotë Jones.

Malet Apalashe kanë humbur 90 për qind të pishave për shkak të prerjes së durëve dhe të minierave.

Djegja e qymyrit për energji e shton edhe më tepër dioksidin e karbonit në atmsoferë. Me ngrohjen e planetit, nevoja për eleminimin e gazit karbonik CO2 nga pyjet, bëhet edhe më urgjente.

Chris Barton i Universitetit të Kentuckit, thotë se vëmendja më e madhe i kushtohet pyjeve tropikale.

"Por këtu, në këtë zonë me temperaturë të moderuar të botës, në Apalashe, katër orë larg Uashingtonit, kemi mundësinë të mbjellim miliarda pemë", - thotë eksperti.

Ku ka vend më mirë se sa këtu, ku ka patur miniera, thotë Barton.

Kjo është arsyeja përse Chris Barton krijoi grupin "Green Forests Work", për mbjelljen e pemëve në rreth 400 mijë hektarë të zonave pyjore të Apalasheve, të dëmtuara nga minierat.

Por në këto toka ka një tjetër problem.

"Po të mbjellësh pemë këtu, ato nuk rriten. Dheu është tepër i ngjeshur, uji nuk depërton dot, po ashtu edhe rrënjët. Në këto toka nuk qarkullon dot oksigjeni,"- thotë Barton.

Zgjidhja ngjan më tepër si një fushë-betejë, se sa si rikrijim i pyjeve. Hejqa e shtresës së ngjeshur të tokës do të ndihmonte në mbjelljen e pemëve. Chris Barton thotë se nuk është përherë e lehtë t'i bindësh njerëzit për një ide e mirë.

"Ka patur raste kur njerëzit shfaqin mosbesim, por sapo e kemi bërë këtë veprim, e kanë kuptuar se është gjëja më e mirë për të patur rezultat".

Dhe rezultate ka patur. Në zonat ku është hequr shtresa e ngjeshur e dheut dhe janë mbjellë pemë të reja, ato kanë mbirë.

Vetëm në Virxhinian Perëndimore, rikthimi i bredhave në mjedisin e tyre të natyrshëm mund të jetë një investim dhjetra milionë dollarësh, thotë shkencëtari.

Por jo menjëherë. Kjo merr dekada. Shane Jones thotë se durimiështë diçka shumë e rëndësishme:

"Është e mrekullueshme të shohësh një pemë të mbjellë 8 vite më parë, që tani të vjen deri te mesi. Në fund të fundit, ky është vetëm fillimi, sepse synimi i punës sonë restauruese, është që më pas t'ja lemë vetë natyrës ta vazhdojë ripërtëritjen."

Ekspertët në mbarë botën thonë se natyra ofron mjete të fuqishme për të luftuar ndryshimet klimatike. Natyra vepron ngadalë, po ama vepron.