Skandali për korrupsion e manipulime në procesin e pranimeve në disa universitete të njohura amerikane ka tronditur opinionin publik. Autoritetet amerikane kanë ngritur padi ndaj disa trajnerëve, kompanive private dhe prindërve që akuzohen se kanë qenë pjesë e një skeme korruptive për të siguruar pranimin në universitete të të rinjve të pasur, që nuk i përmbushnin standardet e pranimit. Bëhet fjalë për një numër të vogël aplikantësh në mesin e 1.8 milionë të rinjve që aplikojnë çdo vit në universitet në SHBA. Por skandali ka goditur në zemër bindjen se arsimi i lartë është barazuesi më i mirë, pista që i jep çdokujt që ka aftësitë dhe vullnetin për të punuar fort, mundësinë për të arritur sukses pavarësisht nga prejardhja apo statusi i familjes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari bisedoi me dy studentë shqiptaro-amerikanë për të marrë përshtypjet e tyre mbi korrupsionin e zbuluar në sistemin e pranimeve universitare:
Your browser doesn’t support HTML5
Skandali është përcjellë me zemërim dhe habi në opinionin publik, por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në korrupsionin e ekspozuar, thotë studentja Keida Gaba:
“Nuk jam shumë e habitur, domethënë, se dihet se me lekë bëhet gjithçka. Shihet edhe këtu në Uashington se nëse ke njerëz në Departament të Shtetit, ose në Senat, është më e lehtë për t’u futur, kështu që kuptohet një çikë”.
Keida ndjek studimet për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin George Washington, megjithëse nuk ishte zgjedhja e saj e preferuar. Ajo kishte aplikuar fillimisht në Universitetin Georgetown me bindjen se ishte një aplikante shumë e fortë:
“Kisha notat shumë të mira, 4.0 GPA, kisha rezultatet e SAT-it (provimet e pranimit), kisha shumë aktivitetete në shkollë: volejboll, futboll, basketboll, kisha edhe robotikë që mendova se do të më ndihmonte sepse nuk ka shumë femra në robotikë”.
Megjithëse ishte kandidate e fortë, aplikimi i saj u refuzua, siç ndodh me shumicën e aplikantëve në universitete me konkurrencë të fortë.
“(Isha) e mërzitur, po hajt..,” thotë Keida.
Por skandali tregoi se disa aplikantë arritën ta anashkalojnë konkurrencën duke i dhënë rryshfet trajnerit të tenisit. Megjithëse kandidatët nuk luanin tenis, trajneri falsifikoi dokumentet duke u siguruar disa të rinjve pranim në universitet.
Prindërit që paguan nën dorë dhe punonjësit që morën rryshfet ndeshen tani me akuza federale se kanë manipuluar sistemin e konkurrencës së hapur për pranimet universitare.
Për familjet që përpiqen të ushqejnë tek fëmijët virtytin e punës dhe konkurrencës së ndershme, skema të tilla janë shumë të dëmshme dhe fyese:
“Këta nxënës i japin një reputacion shumë të keq atyre që janë atletë të vërtetë, të cilët janë munduar kaq shumë, jo vetëm ata, por prindërit, të gjithë”, thotë Mirela McDonald, nëna e një nxënësi që luan tenis.
Ajo e di mirë se ç’do të thotë të përpiqesh të sigurosh me meritë një vend në një ekip sportiv universitar. Prej 13 vjetësh, së bashku me bashkëshortin, ata kanë mbështetur pasionin e djalit për tenisin.
Evin McDonnald është maturant në një shkollë pranë Uashingtonit si dhe konkurron prej vitesh në shkallë kombëtare në tenis:
“Për momentin për moshat deri në 18 vjeç jam në 20-shen më të mirë në SHBA; dy vjet më parë në moshat deri në 16 vjeç isha në vend të pestë; ndërsa në këtë zonë dhe shtetet përreth (mes-Atlantiku ku përfshihen shtatë shtete) jam numri një”.
Është një përkushtim që ka kërkuar orë të panumërta stërvitje dhe sakrifica të shumta:
“Largohem nga shkolla në 1:30 dhe kthehem në shtëpi nga ora 7, jam këtu pak a shumë gjysmën e ditës,” thotë Evin duke përshkruar orët që kalon në fushën e tenisit duke u stërvitur.
Suksesi i tij ka kërkuar një dedikim kolosal edhe nga familja:
“Që të jesh student-atlet nuk është e lehtë, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara ku konkurrenca është shumë e fortë. Duhet një përkushtim jashtëzakonisht i madh si nga ana e atletit vetë, ashtu edhe e prindit. Duhet një përkushtim fizik, financiar, por duhet edhe që ta duash atë sport,” thotë nëna e Evinit.
Sakrificat dhanë rezultat. Në vjeshtë ai do të fillojë studimet në Universitetin e Teksasit, një universitet me emër jo vetëm për programin rigoroz akademik por edhe për ekipin e fortë të tenisit. Por siç del nga hetimet federale, ky është një ndër universitetet ku është zbuluar skema e rryshfeteve për trajnerin e tenisit për të siguruar pranim në universitet. Evin shprehet i revoltuar:
“Mbeta i shokuar. Nuk e kuptoj si mund ta bëjë dikush një gjë të tillë”.
Ai shpreson se njerëzit nuk do të nxiten nga ky incident për të nxjerrë përfundime për të gjithë studentët-atletë:
“Do t’u thosha mos gjykoni bazuar vetëm në këtë incident. Gjykoni përvojën e përgjithshme sepse ata që luajnë në ekipet sportive të universiteteve punojnë shumë fort. Njerëzit nuk na shohin ne sa shumë stërvitemi”.
Megjithatë, mashtrimet e skemat nuk duket se e kanë zbehur dashurinë e Evinit për sportin. Ai është mirënjohës për ato që i ka mësuar tenisi, që ai beson se do t’i shërbejnë për të gjithë jetën:
“Një element i tenisit është se të mëson që të rrish i qetë dhe të kesh veten nën kontroll. Më ka mësuar si të zgjidh vetë problemet; është sport individual, nuk mund të ndërhyjë trajneri, prandaj unë duhet të zgjidh vetë problemet në fushë”.
Dhe nuk është keq që vajzat çmenden fare pas sportistëve, thotë Evin me të qeshur.
Nëna e tij shprehet optimiste se procesi hetimor do të shërbejë për të vendosur kontrolle më rigoroze dhe për të rikthyer meritokracinë në aplikimet për universitet.
“Megjithëse u deshën disa vjet që të kapej, kjo nuk ishte e lehtë sepse njerëzit kishin bërë skema nga më të ndryshmet pas së cilave mund të fshiheshin. Megjithatë u kapën, edhe pse ishin njerëz me influencë, prapëseprapë sistemi funksionoi; këta njerëz tani po shkojnë në gjyq dhe disa nga ata mund të përfundojnë në burg. Kjo nuk ndodh në shumë vende, siç e dimë. Prandaj kam besim në sistemin amerikan. Më erdhi keq për çfarë ndodhi, por kam besim te sistemi”.
Studentja Keida Gaba thotë se skandali përforcoi përshtypje që kishte krijuar se sistemi manipulohet nga favorizimet dhe paratë nën dorë:
“Besimin e kam humbur. Ti e di se mbase janë futur ca studentë në këtë mënyrë. Kam dëgjuar për disa mënyra të tjera që përdoreshin për të siguruar pranim në universitet. Por kur zbulohen që janë disa universitete që e kanë bërë këtë, që në fakt janë universitete me emër... më ka mërzitur”.
Disa studentë që nuk u pranuan në universitetet ku janë zbuluar mashtrime, kanë në plan të ngrenë padi ndaj këtyre universiteteve. Studentja Keida Gaba thotë se nuk ka as kohë, as dëshirë të merret me diçka të tillë:
“Në Georgetown kur aplikova ishte para dy vitesh. Tani jam shumë e lumtur këtu në George Washington University dhe po mbaroj studimet, kam punën time. Dhe besoj se ajo do të harxhojë shumë kohë për të hedhur një universitet në gjyq”.
Ndërkaq, hetimet e autoriteteve federale dhe reagimi i opinionit publik kanë shtyrë disa prej universiteteve të përjashtojnë studentët që siguruar pranim përmes skemave korruptive.