Rindërtimi i katedrales Notre Dame mund të kërkojë dekada

Presidenti francez Emmanuel Macron ka caktuar si objektiv rindërtimin e katedrales Notre Dame brenda pesë vjetësh. Në një fjalim plot emocione dje para vendit, zoti Macron tha se Franca është një vend që ndërton dhe se me mbështetjen e të gjithëve kjo është e realizueshme. Por ekspertët thonë se mund të duhen dekada për ta rikthyer këtë objekt historik në lavdinë e mëparshme:

Djegia e katedrales Notre Dame tronditi botën. Për shumë njerëz, ky objekt historik në Paris është më tepër se një simbol fetar:

"Katedralja Notre Dame është pjesë e pasurive të mbrojtura nga UNESCO; dëmtimi i saj është humbje për mbarë botën. Na dhemb zemra të gjithëve,” tha sekretari parë i kabinetit japonez

"Dëmtimi i katedrales është një goditje e rëndë ndaj trashëgimisë kulturore e historike të njerëzimit; është goditje për popullin tonë si pjesë e mbarë e njerëzimit,” tha Oleg Shein, anëtar i parlamentit rus.

"Notre Dame është një simbol global,” thotë Bill Shorten, udhëheqës i opozitës australiane.

Në përgjigje të thirrjes së presidentit francez, vetëm një ditë pas zjarrit ishin grumbulluar donacione me vlerë 800 milionë dollarë.

"Ne do ta ndërtojmë Notre Damën edhe më të bukur. Dua që kjo të arrihet brenda pesë vjetësh dhe është e arritshme,” Presidenti Macron.

Por ekspertë të restaurimit të objekteve historike thonë se do të duhen dekada për ta përfunduar projektin. Eric Fisher është kreu i fondacionit që merret me mirëmbajtjen e katedrales mesjetare të Strasburgut:

"Unë personalisht do të llogarisja dekada, jo vite për sa i përket punës që duhet. Diagnoza fillestare është shumë e rëndësishme, duhet të identifikohen pjesët që janë shkatërruar dhe çfarë mund të ruhet. Pastaj duhen bërë zgjedhjet për restaurimet para se të fillojë puna e rindërtimit”.

Duhen gjetur gurëgdhendësit, artistët e xhamave të ngyrosura, zdrukthatarët që janë të përgatitur për punime historike. Kjo nuk është e lehtë, thotë Francis Maude, që ka punuar për restaurimin e Kështjellës Windsor pas zjarrit të 1992.

“Aktualisht në Evropë vështirë të gjesh një numër kaq të madh artizanësh për të realizuar një prjekt kaq të madh me punime guri, druri, plumbi dhe xhami të ngjyrosur. Bëhet edhe më e vështirë, pasi para se të fillojë restaurimi i Notre Damës ka projekte të tjera masive që aktualisht ndeshen me mungesa specialistësh për të realizuar punimet”.

Ka njerëz që thonë se katedralja duhet restauruar me të njëjtat materiale që kishte më parë. Arkitekti Francis Muade thotë se do të ishte gabim. Ai mendon se nëse përdoren disa materiale dhe teknika moderne, do të garantohej ekzistenca e katedrales edhe për 800 vjet të tjerë. Arkitekti britanik nënvizon se objektet e mëdha historike deshën dekada, madje shekuj për t’u ndërtuar dhe se gjatë procesit modifikohej edhe stili dhe materialet për t’iu përshtatur kohës.