Vetëm 50 vjet më parë Deti Aral, i cili shtrihet në rajone të Kazakistanit dhe Uzbekistanit, ishte liqeni i katërt më i madh në botë. Por sot ai është kryesisht shkretëtirë dhe grupet mjedisore po përpiqen të shpëtojnë atë që ka mbetur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs sjell hollësitë.
Në këtë zonë dikur shtrihej Deti Aral, por projektet e ujitjes në epokën sovjetike kanë zbrazur dalë ngadalë ujin e tij, duke zbuluar shtratin e tij që shpejt po bëhet një peizazh shkretëtire.
Qyteti i Mojnakut tani është i rrethuar nga shkretëtira dhe problemi është përkeqësuar nga vitet e thatësirës kronike.
Por këta punonjës mjedisor po përpiqen të parandalojnë zgjerimin e shkretëtirës, edhe nëse nuk mund ta shpëtojnë liqenin.
"Qëllimi ynë kryesor është përmirësimi i situatës mjedisore në rajonin e Mojnakut, studentët e Universitetit të Karakalpakut po ndihmojnë në mbjelljen e pemëve, sot po mbjellim kumbulla, hardhi, mollë, kajsi, qershi", thotë Yakub Amedov nga Universiteti Shtetëror i Karakalpakut.
Me mbjelljen e mijëra pemëve dhe shkurreve, qëllimi është të ndalohet zgjerimi i vazhdueshëm dhe i ngadaltë i shkretëtirës, si dhe ngritja në atmosferë e rërës së kripur dhe dëmshme nga shtrati e detit të tharë.
"Një nga mënyrat kyçe për të parandaluar përhapjen e kripës dhe kimikateve që janë grumbulluar nga Deti Aral është mbjellja e pemëve dhe trajtimi i rërës në shtratin e detit të tharë", thotë Vadim Sokolov i Fondit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Detit Aral.
Është një ndërmarrje monumentale që bazohet në supozimin se ky det mund të zhduket përgjithmonë.
"Në të kaluarën ne mbillnim 5-10 mijë hektarë, tani për vetëm tre muaj ne kemi mbjellur 500,000 hektarë me pemë. Ne do të vazhdojmë këtë punë në vjeshtë dhe planifikojmë të mbjellim rreth një milion hektarë të territorit, që është një e treta e shtatit të tharë të detit", thotë Vadim Sokolov i Fondit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Detit Aral.
Ekipi i punonjësve mjedisor shpreson të mbulojë rreth 10 mijë kilometra katror me pemë dhe shkurre gjatë viteve të ardhshme.