Autoritetet amerikane thanë se një person me origjinë nga Shqipëria që fliste për t’iu bashkuar ISIS-it dhe për t’u hakmarrë për sulmet e muajit të kaluar në xhamitë e Zelandës së re, u arrestua në një poligon të shtetit Montana.
Zyrtarët thanë në një komunikatë se Fabjan Alameti kishte udhëtuar kohët e fundit në Montana nga Nju Jorku dhe ndaj tij u ngritën akuza për deklarata të rreme dhe armëmbajtje të paligjshme.
Avokati mbrojtës John Rhodes i tha Zërit të Amerikës se çështja pritet t’i përcillet për shqyrtim një jurie të madhe, e cila mund të ngrejë zyrtarisht akuza.
Një agjent i FBI-së tha në gjykatë se Alameti ishte intervistuar një herë në vitin 2018 dhe se më vonë kishte bërë komente pro-ISIS-it në Facebook.
Sipas agjentit, Alameti kishte folur me një informator për t’iu bashkuar ISIS-it në Irak dhe Siri si dhe për të ndëmarrë një sulm kundër një objekti ushtarak në SHBA.
Por sipas agjentit, Alameti tha më vonë se nuk kishte në plan të ndërmerrte një sulm të tillë pas Shtetet e Bashkuara i kishin dhënë shtetësinë.
Autoritetet thanë se fjala është thjesht për akuza dhe se Alameti presupozohet i pafajshëm nëse nuk gjendet fajtor. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në 10 vjet burgim dhe me 250 mijë dollarë gjobë.