Arrestohet një kineze në vendpushimin e Pres. Trump

Një grua me shtetësi kineze u arrestua javën e kaluar pasi hyri në mënyrë të paligjshme në vendpushimin e Presidentit Donald Trump në Florida. Ajo kishte me vete një pajisje që përmbante programe kompjuterike me virus.

Sipas dokumenteve të gjykatës të paraqitura të hënën, Yujing Zhang i ishte afruar një agjenti të shërbimit sekret në vendpushimin e Mar-a-Lagos në Palm Beach dhe kishte kërkuar leje të hynte në klubin privat, duke thënë se ishte anëtare e tij.

Ajo ishte lejuar të futej pasi një menaxher i resortit e kishte ngatërruar me vajzën e një anëtari të klubit.

Pasi kishte hyrë, Yujing Zhang i kishte thënë një punonjësi të shërbimit të informacionit se kishte ardhur për të marrë pjesë në një aktivitet të shoqatës kino-amerikane të Kombeve të Bashkuara. Kur punonjësi zbuloi se një aktivitet i tillë nuk ekzistonte, u njoftuan agjentët e shërbimit sekret.

Yujin Zhang kishte me vete katër telefona celularë, një kompjuter laptop, një hard disk dhe një USB, që përmbante viruse.

Ajo akuzohet për dhënien e deklaratave të rreme agjentëve federalë dhe hyrje të paligjshme në një zonë me leje të kufizuar.