Partia qeverisëse e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan u ankua të martën ndaj rezultatit të zgjedhjeve për Stambollin dhe Ankaranë, duke pretenduar për parregullsi në procesin e votimit që i kushtoi asaj me humbjen e posteve të kryetarëve të bashkive në të dy qytetet.
Në zgjedhjet lokale të së dielës partia për Drejtësi dhe Zhvillimit (AKP) e zotit Erdogan fitoi shumicën e votave në rang vendi, por u spraps në Stamboll, qendra ekonomike e vendit si dhe në kryeqytet, në Ankara. Nëse qëndrojnë në fuqi rezultatet fillestare kjo do të ishte një goditje politike për udhëheqësin turk, i cili bëri fushatë të gjerë për kandidatët e partisë së tij.
Shefi i AKP-së për Stambollin Bayram Senocak tha se partia ishte ankuar për parregullsi në votim, për të 39 zonat zgjedhore të qytetit. "Kemi identifikuar parregullsi dhe falsifikime," tha ai.
Kandidati i Partisë Popullore Republikane (CHP) Ekrem Imamoglu shpalli fitoren për garën për kryetar të bashkisë së Stambollit me një avantazh prej 28 mijë votash ndaj kandidatit kundërshtar Binali Yildirim, i cili ka mbajtur më parë detyrën e kryeministrit.
Zoti Imamoglu u tha gazetarëve se "nesë partia tjetër do të kishte fituar, do t’i kishte uruar fitoren kundërshtarit të tij Binali Yildirim. Ata po sillen si një fëmijë të privuar nga lodrat", tha ai.
Në Ankara kandidati i opozitës (CHP) për kryetar bashkie Mansur Yavas u rendit përpara Mehmet Ozhaseki-t të AKP-së me rreth katër për qind më shumë vota, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve Anadolu, por AKP-ja tha se e ka kundërshtuar rezultatin për 25 zona zgjedhore të Ankarasë.
Autoritetet zgjedhore kanë dy ditë afat për të vendosur nëse pretendimet për parregullsi në votim janë të drejta.