Dhoma e Përfaqësuesve nuk arrin të shfuqizojë gjendjen e emergjencës kombëtare

Dhoma e Përfaqësuesve nuk arriti të hedhë poshtë një vendim të Presidentit Donald Trump për shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare në kufirin jugor të vendit, duke i hapur rrugë zotit Trump të përdorë fondet federale për ndërtimin e murit.

Votimi në dhomën e kontrolluar nga demokratët (248 me 181) rezultoi në 38 vota më pak sesa shumica prej dy të tretash e domosdoshme për të rrëzuar veton e presidentit.

Presidenti shpalli në muajin shkurt gjendjen e emergjencës për shkak të asaj që e ai e cilësoi krizë humanitare dhe sigurie në kufirin jugor të vendit. Ky hap do t’i mundësonte atij përdorimin e 3.6 miliardë dollarëve nga projektet e tjera qeveritare për ndërtimin e murit.

Si Dhoma e Përfaqësuesve udhëhequr nga demokratët ashtu edhe Senati me shumicë republikane, miratuan një projektligj që e kundështonte masën e tij. Shumë prej kundërshtimeve lidheshin me atë se presidenti po merrte vendime për shpenzime për të cilat duhet të vendoste Kongresi.

Kjo ishte e para veto e presidentit Donald Trump që nga marrja e detyrës në vitin 2017.

Ndërkohë sekretari i Mbrojtjes Patrick Shanahan ka njoftuar se ka autorizuar ushtrinë të përdorë rreth një miliard dollarë, për ndërtimin e një pengese të re përgjatë kufirit amerikan me Meksikën.