Presidenti Trump sulmon mediat për mbulimin e hetimit të ndërhyrjes ruse

Presidenti Donald Trump sulmoi mediat kryesore amerikane të martën, duke thënë se ato janë duke u dënuar në të gjithë botën.

"Media kryesore janë duke u kritikuar dhe duke u përbuzur në të gjithë botën si të korruptuara dhe të rreme," shkroi zoti Trump në Twitter. "Për dy vjet ato nxitën gënjeshtrën për një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, ndërsa e dinin se ajo nuk ekzistonte. Ato vërtet janë armiku i popullit dhe partia e vërtetë e opozitës!" Presidenti Trump përsëriti në Tweeter thënien e një përkrahësi të tij se hetimi prej 22 muajsh i Prokurorit Special nuk duhet të kishte filluar fare. Në një përmbledhje të konkluzioneve të zotit Mueller, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, tha të dielën se Prokurori Special kishte arritur në përfundimin se zoti Trump dhe fushata e tij e vitit 2016 nuk patën komplotuar me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte; por raporti i zotit Mueller nuk arrin në ndonjë përfundim nëse udhëheqësi amerikan ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Sulmi i zotit Trump ndaj mediave, për të cilat ai është ankuar prej një kohe të gjatë, vjen pasi ai dhe aleatët republikanë në Kongres u zotuan se do të kryejnë hetimet e tyre për kritikët kryesorë të Presidentit dhe për ata që qëndrojnë pas hetimit mbi lidhjet mes fushatës së vitit 2016 dhe përpjekjeve të Rusisë për t'i prishur zgjedhjet amerikane.