Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ndodhet në Lindjen e Mesme për bisedime lidhur me çështje të sigurisë, në një përpjekje të Uashingtonit për të fituar mbështetje të reja për politikën e tij ndaj agresionit iranian.
Zoti Pompeo nisi udhëtimin e tij me Kuvajtin të martën vonë mbrëmje dhe u nis drejt Izraelit të mërkurën ndërsa pritet të shkojë gjithashtu edhe në Liban.
Gjatë vizitës në Izrael zoti Pompeo pritet të takohet me kryeministrin Benjamin Netanjahu, qeveria e të cilit po shkon drejt një përballjeje të ashpër për rizgjedhje në 9 prill, pas një hetimi për korrupsion ndaj zotit Netanjahu dhe përballjes me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.
Në komentet për gazetarët ndërsa udhëtonte drejt Lindjes së Mesme zoti Pompeo hodhi poshtë pohimet se takimi i tij me kryeministrin izraelit mund të shihej si një ndërhyrje e SHBA-së në zgjedhjet izraelite, në mbështetje të zotit Netanjahu.
Javën e kaluar një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se zoti Pompeo nuk do të takohej me kundërshtarët politikë të zotit Netanyahu, por vetëm si kreu aktual i qeverisë izraelite.
Javën që vjen Kryeministri Benjamin Netanjahu pritet të vizitojë Uashingtonin në kuadër të konferencës vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan për Marrëdhëniet me Publikun, një grup lobist i fuqishëm hebre në Shtetet e Bashkuara. Ai mund të takohet gjithashtu edhe me Presidentin Donald Trump.
Zoti Pompeo tha se ndryshimi i kohëve të fundit i terminologjisë së Uashingtonit lidhur me territorin e Bregut Perëndimor dhe Lartësitë Golan të Sirisë nga "të pushtuar prej Izraelit" në të "kontrolluar" nga shteti hebre, nuk ishte aksidental.
Ai tha se karakterizimi në raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në mbarë botën, mbi kontrollin izraelit të territoreve të diskutueshme, "ishte një deklaratë faktike se si SHBA-ja e sheh situatën”.
Zoti Pompeo tha se në ndalesën e tij të tretë në Bejrut "do të shpenzojë shumë kohë duke biseduar me qeverinë libaneze rreth asaj se si mund t'i ndihmojmë ata të shkëputen nga kërcënimi që paraqesin Irani dhe Hezbollahu ".
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hezbollahun, një grup politik militantësh islamikë, si organizatë pro-iraniane "terroriste", edhe pse përfaqësohet në qeverinë e koalicionit të kryeministrit Saad Hariri, një aleat i SHBA-së.