Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka ofruar Kongresit një listë projektesh ndërtimi që ky departament mund të shkurtojë me synimin për të ndihmuar në ndërtimin e një muri në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, që Presidenti Donald Trump ka urdhëruar të ndërtohet.
Shefi i Pentagonit në detyrë, Patrick Shanahan, ia dërgoi listën Kongresit pas një seance të tensionuar dëgjimore. Në seancë, senatorët demokratë kërkuan një listë lidhur me projektet që mund të preken. Tim Kane është senator demokrat i shtetit Virxhinia.
“...nuk besoj se do na e jepni listën sot pas votimit kur dihet që ky komision e ka kërkuar prej disa muajsh në mirëbersim. Më thoni nëse e kam gabim.”
“Gjatë gjithë këtij procesi të deklarimit të emergjencës, që nga fillimi kemi punuar që të jemi 100 përqind transparentë me Kongresin”, tha shefi i Pentagonit në detyrë Patrick Shanahan.
Në listë përfshihen disa qindra projekte ndërtimi në dhjetëra shtete amerikane si dhe baza amerikane në mbarë botën.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump deklaroi një emergjencë kombëtare në përpjekjet për të ndërtuar një mur në kufirin jugor amerikan pasi nuk ishte në gjendje të siguronte miratimin e fondeve nga Kogresi. Shpallja e gjendjes së emergjencës i mundëson zotit Trump që të përdorë fonde nga buxheti ushtarak për financimin e ndërtimit të murit.
Përmes votimit, Kongresi e hodhi poshtë javën e kaluar deklarimin e emergjencës duke bërë që Presidenti Trump të shpallte si kundërpërgjigje veton e parë të presidencës së tij.
Demokratët shpresojnë se publikimi i listës me shkurtimet e mundshme do të bëjë që ligjvënësit nga shtetet që preken të kenë më shumë gjasa të anashkalojnë veton e Presidentit Trump. Që kjo të realizohet kërkohet një shumicë prej dy të tretash në të dy dhomat e Kongresit amerikan.