Me rastin e deportimit të mbi 7100 hebrenjëve para 76 vjetësh nga Maqedonia, Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve këtu në Maqedoninën e Veriut përuroi përmes një ceremonie Departamentin për studimet mbi Holokaustin, i pari i këtij lloji në rajon.
Ministri izraelit për Jerusalemin Ze’ev Elkin mori pjesë në takim, ndërsa folësit përkujtuan ngjarjet e dhimbshme të deportimit të komunitetit hebre nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi.
“Nëse duam që t’ia kalojmë gjeneratave të ardhshme, duhet të ruhet kujtimi për Holokaustin dhe të vazhdojë të përkujtohen njerëzit të cilët u vranë. Ky departament nevojitet për kërkime të reja dhe veprimtari edukative në mënyrë që të nxirren mësime nga Holokausti”, tha ministri izraelit.
Your browser doesn’t support HTML5
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë kulturore shqiptare, Skender Hasani tha se departamenti për Holokausin synon ndërgjegësimin e përgjithshëm shoqëror lidhur me historinë që nuk e lë indiferent asnjë individ të qytetëruar. Ai nënvizoi historinë e familjeve shqiptare Meliqi nga Shkupi dhe Shurdha nga Shkodra që kishin shpëtuar pjesëtarë të komunitetit hebre duke i fshehur për të mos i dorëzuar në kampet naziste.
Për ngritjen e deparamentit për Holokausin kanë kontribuar në veçanti ambasadorët e Gjermanisë, të SHBA-së, dhe të Izraelit këtu në Shkup.
“Nuk mund ta zhbëjmë Holokaustin, por ua kemi borxh viktimave jo vetëm në Gjermani apo në Maqedoni e Evropë, por në mbarë botën për të luftuar kundër urretjes, përjashtimit, intolerancës dhe kundër racizimit”, tha ambasadori gjerman Thomas Gerberich.
Nga 7144 hebrenjtë e deportuar në kampin e Treblinkës në Poloninë e sotme, pothuaj se asnjë nuk ishte kthyer në vendlindje. Lagja hebraike në Shkup ishte shkatërruar më vonë nën arsyetimin se shtëpitë kishin pësuar dëme nga një tërmet i kohës.