Hillary Clinton nuk do të kandidojë në zgjedhje

Demokratja Hillari Klinton, e cila humbi në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës ndaj Donald Trumpit, deklaroi se nuk do të garojë në vitin 2020.

Por ajo tha në një intervistë televizive se: “Do të vazhdoj të punoj, të flas dhe të mbaj qëndrim për ato çështje që unë besoj.”

"Dua të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë: unë kam për të vazhduar të flas hapur. Nuk kam për të shkuar asgjëkundi, por do të flas hapur për problemet kryesore të vendit tonë dhe për ato që përbëjnë shqetësim për mua,”- tha zonja Clinton.

Një listë e gjatë demokratësh kanë bërë të njohur se do të garojnë për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate, për t’u përballur me rivalin republikan Donald Trump. Në këtë listë janë përfshirë edhe 5 gra ligjvënëse: Senatorja e Masaçusetsit Elizabeth Warren, Kirsten Gillibrand e Nju Yorkut, Amy Klobuchar e Minnesotës dhe Kamala Harris e Kalifronisë California, si dhe ligjvënësja e Hauait, Tulsi Gabbard.

Senatori Bernie Sanders i Vermontit, rivali kryesor i zonjës Clinton në garën për të fituar emërimin e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të 2016-ës, ka njoftuar se do të kandidojë përsëri, ndërsa ish nënpresidenti Joe Biden thotë se është në fazat e fundit të marrjes së një vendimi në se do të kandidojë.

Disa këshilltarë politikë të zonjës Clinton i patën sugjeruar asaj kohët e fundit që të kandidojë përsëri për emërimin e partisë, pasi ajo mori rreth 3 milionë vota në zgjedhjet e kaluara. Por ajo i humbi zgjedhjet për shkak të Kolegjit Elektoral, që përcakton rezultatin e përgjithshëm, bazuar në fitoret e kandidatëce në secilin prej 50 shteteve amerikane, plus qytetin e Uashingtonit.

Zonja Clinton, bashkëshortja e ish Presidentit Bill Clinton, ka shërbyer për dy mandate si Senatore e Nju Jorkut dhe ajo ka qenë Sekretare Shteti gjatë mandatit të parë presidencial të Presidentit Barack Obama.