Eurodeputetët kritikojnë qëndrimin e opozitës

  • Armand Mero

Në Shqipëri, delegacioni i parlamentit europian i cili vizitoi Tiranën, kritikoi sot vendimin e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e deputetit. Në përfundim të misionit të tyre eurodeputetët u shprehën se “bojkotimi në vetvete i parlamentit, nga ana e përfaqësuesve të njerëzve përbën një sinjal shumë të keq, cënon besueshmërinë e shtetit dhe kombit në tërësi”, deklaroi drejtuesi i delegacionit Tunne Kelam, ndërsa foli për pasojat që mosmarrëveshjet e brendshme do të kishin në vendimin e Këshillit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. “Nuk mund të gjesh dot një pretendim për të vonuar objektivin më të rëndësishëm kombëtar, për shkak të dasive që lidhen me interesat partiak apo pikëpamjeve të ndryshme”, theksoi zoti Kelam.

Your browser doesn’t support HTML5

Eurodeputetët kritikojnë qëndrimin e opozitës

“Më vjen shumë keq, sepse djegia e mandateve nuk është mënyra e përshtatshme për të zgjidhur problemet këtu në vendin tuaj. Ne presim që deputetët të bëjnë detyrën e të shkojnë në punë.

Kjo ka të bëjë me parimin, nuk ka të bëjë me ose kështu, ose ashtu. Mund të organizojmë protesta në rrugë, por jo në vend të kryerjes së diskutimeve në parlament”, tha nga ana e tij relatori për Shqipërinë në Parlamentin europian Knut Fleckenstein.

Eurodeputetët dënuan aktet e dhunës që janë regjistruar gjatë protestave të opozitës. “Kjo nuk është mënyra demokratike e zgjidhjes së problemeve, jemi kundër nxitjes së dhunës nga partitë politike, sepse kjo është kundër stabilitetit dhe besueshmërisë së vendit”, u shpreh zoti Kelam. Ndërsa eurodeputeti Fleckenstein, theksoi se “Ata që organizojnë protesta duhet të kujdesen që ato të mos jenë të dhunshme. Nuk është e mundur të thuash thua që kjo është protesta ime, njerëzit e mi, po dhuna nuk është e imja. Ai që urdhëron ushqimin ai duhet të paguajë. Kush organizon protesta duhet të sigurohet që dhuna të kufizohet sa më shumë të jetë e mundur. Nëse deri nga mesi i qershorit, ne shohimpamje dhune nga rrugët e Tiranës, sigurisht që kjo në vetvete do të ketë pasoja për diskutimet në takimin e Këshillit në Qershor”.

Eurodeputetët thanë se Shqipëria ka bërë përparim me reformat e sidomos me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Këtë ka kërkuar Këshilli, që të ketë një vendim pozitiv. Ne i bëjmë thirrje Këshilit të përqëndrohet në këto fakte dhe që në qershor të hapet drita e gjelbër për hapjen e bisedimeve”, tha zoti Fleckenstein.

Opozita akuzon qeverinë se ka ardhur në pushtet përmes votave të vjedhura falë lidhjeve të saj me krimin e organizuar, e kërkon një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme. “Unë kam qenë këtu si vëzhgues i zgjedhjeve dhe përfundimet tona isin se zgjedhjet shkuan mirë. Nuk mund të themi pas një viti e gjysëm se nuk ishin zgjedhjet e mira. Dhe kur e dëgjoj këtë nga disa parti që thonë se përfundimet nga zyrtarët europian nuk ishin të sakta, mërzitem, sepse ne kemi ekzpertizën më të mirë. Eshtë cudi të dëgjoj politikanë shqiptarë sot që thonë se zgjedhjet e 2017 nuk ishin të mirë. Ju lutem respektoni rezultatin e zgjedhjeve dhe bëni punën si parlamentar”, deklaroi Cristian Preda, përfaqësues i grupit të Partive popullore ne Parlamentin europian. Ndërsa për drejtuesin e delegacionit, eurdeputetin Kelam “parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme, keni një qeveri legjitime, kështu që mendoj se përqëndrimi te ideja e një qeverie kalimtare do të dëmtonte përqëndrimin që duhet të kemi për hapjen e bisedimeve”.

Delegacioni i parlamentit europian pati një takim dje me drejtuesit e opozitës shqiptare. Eurodeputeti Fleckenstein tha se ishte “bafasuar dhe zhgënjyer”, nga një deklaratë në fund të takimit nga ana e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi: “Ajo tha vetëm një fjali në fund të takimit, se ata e kanë marrë vendimin e tyre se në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushteti, për shoqërinë dhe vendin, dhe nëse europianët nuk e kuptojnë, ky nuk është problemi i tyre. Ky është një mesazh i qartë, e besoj se në Bruksel ata që marrin vendime, dhe ata që janë këtu e kuptojnë se në cilën anë gjendet secili prej nesh”, u shpreh zoti Fleckenstein.

Reagimet ndaj deklaratave të eurodeputetëve ishin të menjëhershme. Lëvizja socialiste për integrim u shpreh me tone të ashpra kundërshtuese duke thënë se ndërkombëtarët, sipas tij,nuk mund të përdorin dy standarte në vlerësimet e tyre. “Për këtë opozita është në rrugë, për këtë opozita nuk do të lëvizë nga rruga dhe do të vazhdojë të ketë një shami në dorë për të fshirë sytë e turbulluar të të gjithë eurodeputetëve, të cilët i shohim që kanë pamundësi për të parë qartë për shkak të disa parave që janë të gjithfarshme, por janë para të pista”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Ndërsa nga Shkodra, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se “detyra jonë, është që me durim dhe vendosmëri të shpalosim të vërtetën dhe faktet që për një kohë kaq të gjatë janë helmuar nga propaganda e Edi Ramës. Ndaj përgjigja ime është dhe mbetet. Mos më kërkoni asgjë që nuk do të pranoni për popujt tuaj”, theksoi zoti Basha.

Qeveria nga ana e saj shprehu falenderime për qëndrimin e eurodeputetëve. “Delegacioni i tyre foli troç fare, duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeverira tranzitore, parlamente jo legjitime, nënvizuan nevojën për vazhdimin e jetës parlamentare dhe zëvendësimin ligjor të të arratisurve”, u shpreh ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin, njëkohësisht dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali.