Zëdhënësja e Komisionit europian Maja Kocijancic ritheksoi sot qëndrimin kritik të Brikselit ndaj vendimit të opozitës shqiptare për të hequr dorë nga mandatet parlamentare
Në një konferencë për shtyp, zonja Kocijancic rikujtoi qëndrimin e shprehur nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, sipas të cilëve vendimi i opozitës “pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri, duke qenë se parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të çohen përpara, jo të bojkotohen. Këto vendime – tha më tej zonja Kocijancic - janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minojnë progresin që ka bërë vendi në udhën drejt Bashkimit Evropian”. Zëdhënësja e Komisionit, ripërsëriti se Brukseli pret që “qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim që ta kapërcejnë situatën politike aktuale”.
Opozita nga ana e saj ka theksuar se nuk do të ketë kthim pas. Sot kryetari demokrat Lulzim Basha, pati një takim me partitë aleate, ndërsa pasdite mësohet se do takohet me drejtuesit e degëve të partisë së tij në Tiranë. Opozita ka paralajmëruar një seri protestash të reja në javët që vijnë.