Një gjykatë ruse vendosi të premten që Paul Whelan, një ish-marins amerikan i akuzuar për spiunazh, të mbahet në një institucion paraburgimi për tre muaj të tjerë, për t'u dhënë hetuesve më shumë kohë për të shqyrtuar rastin e tij.
Zoti Whelan, i cili disponon disa pasaporta, amerikane, britanike, kanadeze dhe irlandeze, u arrestua në një dhomë hoteli në Moskë më 28 dhjetor, nën akuzën për spiunazh. Vetë zoti Whelan e ka hedhur poshtë këtë akuzë.
Nëse shpallet fajtor, Paul Whelan rrezikon deri në 20 vjet heqje lirie. Rasti ka tendosur më tej marrëdhëniet gjithësesi të dobëta mes SHBA-Rusisë sikurse dhe arrestimi i një tjetër amerikani, investitorit Michael Calvey.
Gjykata vendosi të premten që Paul Whelan të mbahet në paraburgim deri në 28 maj, duke e shtyrë një vendim të mëparshëm për ta mbajtur atë deri më 28 shkurt.
Ambasada amerikane në Moskë tha se një zyrtar i saj ishte takuar me Paul Whelan-in në institucionin e paraburgimit të enjten.