Departamenti i Shtetit i bën thirrje opozitës në Shqipëri të mos i dorëzojë në masë mandatet dhe të dënojë publikisht dhunën e ushtruar gjatë protestave.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer ka zhvilluar mbrëmë dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, zoti Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike, duke theksuar rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike.
Diplomati i lartë amerikan, siç u shpreh zëdhënësi për Zërin e Amerikës, “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”.
Zoti Palmer, ndërsa theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e qytetarëve për të protestuar në paqe, u bëri thirrje si zotit Basha edhe zonjës Kryemadhi të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe drejtuesja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi i shpjeguan sot Zërit të Amerikës qëndrimin që ata kanë mbajtur në bisedën me zyrtarin e e lartë të Departamentit të Shtetit dhe ndaj thirrjeve të tij kundër heqjes dorë në bllok nga mandatet e deputetit.
Zoti Basha tha se “vendimi i marrë për djegien e mandateve është një vendim i forumeve të PD, një vendim unanim dhe dorëheqja individuale e të gjitha mandatave është një hap tashmë i ndërmarrë nga opozita”. Kryetari demokrat shpjegoi se i kishte parashtruar zoti Palmer kërkesën që të kuptohet se sipas tij “në Shqipëri ka një gjendje të paprecedentë të kapjes së Shtetit nga krimi dhe oligarkia dhe se zgjidhja politike që PD ofron, është rruga për të ruajtur stabilitetin, gjë që mund të ndodhë vetëm duke forcuar demokracinë dhe shtetin ligjor të cilat sot – u shpreh zoti Basha - janë praktikisht të asgjësuara nga shteti I kapur nga krimi dhe korrupsioni”
Nga ana e saj, zonja Kryemadhi tha se i kishte shpjeguar zoti Palmer se “Shqipëria tashmë është një shtet ku është shkatërruar gjithshka dhe ku po lulëzon krimi i organizuar dhe trafiku i drogës. Kryetarja e LSI-së u shpreh se i kishte deklaruar zyrtarit amerikan se “Qeveria është ngritur mbi shitblerjen e votave nga krimi i organizuar dhe se përgjimet e prokurorisë i kanë vënë vulën parlamentit”, ku sipas saj “partia socialiste, ka asgjësuar çdo të drejtë të opozitës, dhe çdo zë i saj është eliminuar”
Ajo tregoi se e kishte pyetur zotin Palmer se “çdo të ndodhte në Shtetet e Bashkuara nëse një kongresmen apo senator amerikan do të faktohej nga prokuroria se ka blerë vota me paratë apo ndërmjetësimin e krimit të organizuar? Më e pakta do të niste hetimi, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta”, tha zonja Kryemadhi duke komentuar bisedën me zotin Palmer.