Trump: Nuk ka afat magjik për marrëveshjen tregëtare me Kinën

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se nuk ekziston një "afat magjik" për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kinën. Këtë javë bisedimet mes dy vendeve janë zhvendosur në Uashington.

Zoti Trump ka vendosur një marsin si afatin e fundit për rritjen e tarifave ndaj mallrave kineze në një vlerë prej 200 miliardë dollarësh, nëse nuk arrihet marrëveshje tregtare.

“E di që Kina nuk do të donte që kjo të ndodhte dhe ata po përpiqen të veprojnë shpejt. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Mund të them vetëm se bisedimet me Kinën për tregtinë kanë shkuar shumë, shumë mirë". tha zoti Trump.

Sipas Presidentit amerikan afati i një marsit mund të pezullohet nëse negociatorët do të jenë pranë një marrëveshjeje.

Shtëpia e Bardhë thotë se bisedimet do të përqëndrohen në "arritjen e ndryshimeve të nevojshme strukturore në Kinë që kanë ndikim tek tregtia me Shtetet e Bashkuara”.

Por sipas autoriteteve kineze, janë politikat tregtare amerikane ato që po ndrydhin zhvillimin e saj ekonomik.