Zaev, Ahmeti diskutojnë daljen me kandidat të përbashkët në zgjedhjet presidenciale

  • Isak Ramadani

Your browser doesn’t support HTML5

Në Shkup u takuan kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të biseduar në lidhje me mundësinë e daljes në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, me një kandidat të përbashkët. Një emër i pranueshëm për të dyja partitë do të kërkohet deri para fundit të javës që vjen.

Partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti u ulën të hënën në tryezë në kërim të një kandidati të përbashkët, apo konsensual, siç parapëlqen ta quajë partia shqiptare, për në zgjedhjet e pritshme presidenciale. Por, bisedimet kanë qenë konsultative, sipas zotit Ahmeti, dhe nuk është diskutuar për emrat e mundshëm të kandidatëve.

Lidhja Social Demokrate e zotit Zaev ka shpallur një konkurs, nga ana tjetër, për garën presidenciale, ndërkohë që në opinionin publik janë përfolur emrat e disa ministrave apo të eksponentëve partiakë si kandidatë me mundësi të mëdha për të hyrë në garë. Ata janë: ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, ai i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, bëshkërenduesi kombëtar për në NATO, Stevo Pendarovski dhe Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, BDI-ja para pak javësh ka lakuar emrat e ish-ministrit të parë të jashtëm Denko Malevski, të akademikëve Vllado Popovski dhe Luan Starova dhe të ambasadorit Llazar Elenovski për kandidatë të përbashkët.

Kryeministri dhe kreu seocialdemokrat Zaev tha se ka shanse koncepti për një kandidat të përbashkët. Por, as ai as zoti Ahmeti nuk deshën të zbulojnë më shumë në lidhje me emrat e kandidatëve:

“Vlerësuam se është me rëndësi për të ardhmen e vendit, për shkak të konceptit ‘një shoqëri për të gjithë’, për shkak të mundësisë që edhe një herë të dërgohet mesazhi për unitet ndërmjet qytetarëve. Që t’i kushtojmë vëmendje qëndrimit pas një kandidati të përbashkët”. “Ne drejtuesit”, shtoi mëtej zoti Zaev, “e dëshirojmë këtë por këtë do ta vendosin organet e partive”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti megjithëse është autorizuar nga partia që ai të vendosë për kandidatin presidencial, si duket nuk dëshiron që vetë ta bartë këtë barrë. “Emrat do të dihen në fazën e dytë të bisedimeve”, thotë ai.

Zoran Zaev thotë se beson që që deri në fund të javës do të merret një qëndrim se a bën ose jo dalja me një kandidat të përbashkët. “Në fillim të javës tjetër duhet t’i përcaktojmë emrat, sepse Kongresi i Lidhjes Social Demokrate është më 3 mars”, tha ai.

Në lidhje me kandidaten për president të zgjedhur nga VMRO-DPMNE-ja, profesoreshën e Fakultetit Juridik në Shkup, Gordana Siljanovska, kryeministri Zaev tha se ajo nuk ka dhënë në asnjë segment asnjë mbështetje për atë që sot e gjithë bota e mbështetë, duke aluduar në Marrëveshjen e Prespës dhe integrimin në NATO të Maqedonisë së Veriut dhe “sëkëndejmi nuk meriton të jetë personi që do ta përfaësojë shtetin”.

Ndërkohë, shkalla e daljes në zgjedhjet presidenciale duhet të jetë 50 përqind. Nëse kjo nuk arrihet në raundin e dytë më 5 maj, atëherë zgjedhjet nuk do të jenë valide dhe në krye të shtetit , siç parasheh Kushtetuta, do të qëndrojë kryetari aktual i Parlamentit, Talat Xhaferi, një çështje kjo tepër shqetësuese për VMRO-DPMNE-në e opozitës.