Në bankën e të akuzuarve në Spanjë janë vendosur 12 udhëheqësit e lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës. Analistët thonë se procesi gjyqësor nuk do të ndihmojë për zgjidhjen e krizës politike, ndërsa në vend është rindezur debati rreth identitetit spanjoll.
Në bankën e të akuzuarve në Spanjë janë vendosur 12 udhëheqësit e lëvizjes për pavarësinë e Katalonjës. Prokuroria paraqiti dje argumentat e saj duke i akuzuar për kryengritje dhe rebelim.
“Aktiviteti politik nuk mund të justifikojë kurrë përdorimin e mijëria qytetarëve për të mos zbatuar ligjet dhe vendimet gjyqësore”, tha Prokurori Javier Zaragoza.
Avokatët mbrojtës thanë se rrezikohet vetë demokracia.
“Ky është një gjyq politik. Akuzat bazohen në fakte politike dhe jo penale. Ne mendojmë se referendumi nuk është krim; nuk mund të përbëjë krim në demokraci”, thotë avokati mbrojtës Olivier Peter.
Jashtë gjykatës, mbështetësit e të akuzuarve u mblodhën duke kërkuar lirimin e të burgosurve politikë, siç i quajnë ata.
Pranë tyre ishin mbledhur kundërshtarët e pavarësisë që hidhnin parrulladuke i quajtur të pandehurit “terroristë”, dhe duke kërkuar dënimin maksimal me burg.
Mes 12 personave ka politikanë dhe udhëheqës civilë.
“Vendimi i gjyqit do të vërtitet rreth argumentave nëse pati apo jo dhunë”, thotë Ernesto Pascual, profesor i ligjit ndërkombëtar.
Referendumi u mbajt në tetor të vitit 2017. Policia u përpoq të ndalte votimin dhe sekuestroi fletëvotimet. Protestat në vazhdim u përfshinë nga dhuna.
Javë më vonë, udhëheqësit katalonas shpallën pavarësinë nga Spanja. Madridi e shpalli votimin të paligjshëm dhe vendosi qeverisje të drejtpërdrejtë ndaj rajonit autonom, si dhe arrestoi udhëheqësit e tij. Ish-Presidenti Carlso Puidgemont u arratis drejt Belgjikës.
Zgjedhjet rajonale nuk arritën t’i japin fund ngërçit. Tashmë, mundësia e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme e ka rindezur debatin.
“Po shohim një ringjallje të debatit dhe të diskutimit rreth identitetit spanjoll; për atë çfarë do të thotë të jesh spanjoll apo katalonas. Kjo po ndodh edhe sepse partitë e djathta e kanë momentalisht identitetin një pishtar udhërrëfyes të fushatës së tyre”, thotë Camino Mortera-Martinez, e Qendrës për Reformimin Evropian.
Partia e së djathtës ekstreme “Vox” ka tërhequr më shumë vota duke kundërshtuar pavarësinë e Katalonias.
Analistët thonë procesi gjyqësor nuk do të ndihmojë për zgjidhjen e krizës politike. Madje, një vendim fajësie mund të thellojë ndasitë. Por, nëse të akuzuarit shpallen të pafajshëm, analistët thonë se separatistët mund të inkurajohen të kërkojnë sërish pavarësinë.