Ndihmat nga SHBA, në pritje që të hyjnë në Venezuelë

Tensionet janë të larta në qytetin kufitar Kukutas që ndodhet në Kolumbi, ndërsa kamionët e parë me ndihma nga Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të prisin për të kaluar kufirin drejt Venezuelës.

Dy kamionë të mëdhenj të ngarkuar me ushqime, medikamente mjekësore e ndihma të tjera humanitare po presin leje për të hyrë në vend nga presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro.

Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe qytetarët e mbledhur tek vendkalimi kufitar i bënë thirrje forcave të armatosura të Venezuelës të jenë në krah të popullit dhe t’i lejojë ndihmat të hyjnë.

Forcat e sigurisë të Venezuelës kanë bllokuar kalimin kufitar me tre korsi të Kukutas duke përdorur dy kontenierë dhe një çisternë karburanti.

Ndihma u kërkua nga udhëheqësi i opozitës Juan Guaido, i cili është vetëshpallur president të përkohshëm. Ai ka paralajmëruar se shumë venezueljanë do të vazhdojnë të përballen me rreziqe të mëdha pa ndihmë ndërkombëtare.

Miliona venezueljanë janë larguar nga vendi dhe me miliona të tjerë pritet të largohen. Korrupsioni dhe politikat e dështuara të socialistëve e kanë shkatërruar ekonominë e vendit.