Tenderat në ministrinë e Drejtësisë, 4 të arrestuar

Në Shqipëri ish Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, J. Hoxha, Drejtori i Shërbimeve mbështetëse A. Lamçe dhe dy specialistë të IT, L. Ali dhe A. Alikaj janë vënë në pranga pasi dyshhen të jenë përfshirë në shkelje dhe abuzime me disa tendera të zhvilluara nga kjo ministri në periudhën 2016-2017. Nën hetim dhe 8 zyrtarë të tjerë të ministrisë.

Hetimet janë shtrirë në të paktën 5 tendera: Mirëmbajtja dhe mbikqyrja e sistemit ICMIS, në 7 Gjykatat Administrative; Përmirësimi i sistemit të mbikqyrjes elektronike në fushën penale; Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar; Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës si dhe tenderi për Përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.

Shkeljet rezulton të jenë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e m pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave. Sipas prokurorisë, “hetimet kanë nxjerrë në pah shkeljet e evidentuara të shoqëruara me pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit”. Disa nga sistemet të cilat janë blerë në bazë të këtyre tenderave, në një pjesë të madhe, sipas prokurorisë, nuk janë funksionale.

Prokuroria bëri të ditur se po verifikohen dhe veprimet e kryera dhe përgjegjësia konkrete që mund të kenë dhe dy ish ministrat e Lëvizjes socialiste për integrim Ylli Manjani dhe Petrit Vasili. Zoti Manjani nga ana e tij reagoi përmes një statusi në Facebook. Me tone ironike ai shkruan se “nëse pushteti ka mbaruar punë me trafikun e drogës, kanabizimin e vendit, koncensionet e PPP-vë, tenderat e infrastrukturës dhe abuzimet miliona e eurove, le t'i verifikojnë edhe shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Drejtësisë”, shpreh zoti Manjani.