Maqedonia nënshkruan më 6 shkurt Protokollin për anëtarësim në NATO

  • Isak Ramadani

Të mërkuren në Bruksel, Maqedonia do ta nënshkruajë Protokollin për anëtarësim në NATO, që do t'i hapë dyert këtij shteti ballkanik për t'u bërë vendi i 30 i Aleancës. Por, para anëtarësimit të plotë, secili vend anëtar i NATO-s duhet ta ratifikojë protokollin, duke filluar nga Greqia si vendi i parë që pritet ta bëjë këtë.

Your browser doesn’t support HTML5

Maqedonia nënshkruan më 6 shkurt Protokollin për anëtarësim në NATO

Këtë e ka bërë të ditur qysh para pak ditësh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përmes një postimi në Twitter: “Më gjashtë shkurt do ta shkruajmë historinë. Aleatët e NATO-s do ta nënshkruajnë Protokollin me Maqedoninë e ardhshme të Veriut", shkruante Sekretari i Natos. Në ceremoninë e nënshkrimit do të jetë i pranishëm Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do ta shqyrtojë të enjten Komisioni për mbrojtje kombëtare dhe politikë të jashmtme i parlamentit grek, ndërsa të premten do të vihet në seancë plenare për t’u votuar, siç ka njoftuar Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Nikos Voutsis. Duke patur parasysh se Greqia e ratifikoi me 153 vota Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të fqinjit të saj verior, edhe protokolli për anëtarësim në NATO pritet të ketë shumicën e nevojshme të votave të ligjvënësve grekë.

Greqia pritet të jetë vendi i parë që do t’i japë dritën jeshile fqinjit të saj për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, pasi kishte bllokuar rrugët e integrimit të Maqedonisë për gati tre dekada, për shkak të problemit të emrit Maqedoni, me që një rajon në Greqinë veriore e mban të njejtin emër dhe për shkak të pretendimeve të mundshme të Shkupit ndaj territorit dhe historisë greke.

Marrëveshja e Prespës e 17 qershorit të vitit të kaluar u dha fund këtyre dilemave.

Kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO u angazhua Rusia, shpesh përmes deklaratave kërcënuese të diplomacisë së saj, dhe përmes ndikimit në protestat e grupeve nacionaliste brenda partive të djathta maqedonase. Por, mbështetja e fuqishme amerikane dhe e shumë vendeve të Aleancës së NATO-s bëri që pushteti i ri në Maqedoni të mos ndryshonte kursin e synuar drejt Brukselit.

Pasi secili nga 29 vendet anëtare të Aleancës Veriatlantike ta ratifikojnë protokollin për Maqedoninë e Veriut, ky vend do të bëhet anëtar fuqiplotë i NATO-s. Një numër vendesh anëtare tashmë kanë shprehur gatishmërinë për ta mirëpritur Maqedoninë në NATO, përfshirë Kroacinë.