Anulohet kontrata koncensionare për ujrat termale të Dibrës

  • Pëllumb Sulo

Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë në Shkodër anuloi të martën lejen e dhënë, në dhjetor të vitit të kaluar, një kompanie private për shfrytëzimin me koncesion 5 vjeçar të ujërave termale në Dibër. Vendimi vjen pas protestave të banorëve të Dibrës, të cilët e kanë cilësuar dhënien e kësaj leje si një veprim korruptiv, i cili dëmton këtë pasuri natyrore me vlera kombëtare. Dhënia e kësaj leje u shoqërua edhe me debate të forta mes të dy krahëve të politikës, në seancën e javës së kaluar të Parlamentit.

Në vendimin e marrë të martën nga Këshilli i Basenit Ujor Drin-Bunë thuhet se leja cënon të drejtat e pronësisë së Bashkisë Dibër. Ndërsa, nga hetimi administrativ, i kryer nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, është vërejtur se të dhënat e paraqitura në projektin teknik të lejes nuk përputhen me burimin ekzsitues që merr ujë sot në Dibër. Gjithashtu, nuk është zhvilluar dëgjesë publike me komunitetin e zonës lidhur me projektin për shfrytëzimin e ujrave termale.

Dhënia, në kundërshtim me ligjin, e lejes së shfrytëzimit me koncension 5 vjeçar të ujrave termale pritet të hetohet nga organet e drejtësisë për të nxjerrë përgjegjësitë ligjore të shkeljeve që do të cënonin rëndë një nga burimet termale më të rëndësishme të Shqipërisë.

Muajin e kaluar, pas protestës së banorëve kundër ndërtimit të një heci në Kanionin e Holtës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi pezullimin e kontratave koncensionare jo operative për ndërtimin e heceve. Ministria urdhëroi skanimin e 182 kontratave koncensionare, që parashikonin ndërtimin e 440 heceve në lumejtë e vegjël të Shqipërisë.

Po muajin e kaluar, qeveria shqiptare vendosi ndërprerjen e procedurës së partneritetit publik-privat me kompaninë e shpallur fituese për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.