Presidenti Donald Trump pritet të lavdërojë gjendjen e ekonomisë amerikane dhe të këmbëngulë për nevojën për një pengesë fizike në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën në fjalimin e tij sonte mbi gjendjen e vendit. Fjalimi i presidentit Trump ishte planifikuar fillimisht për më 29 janar, por u shty për në 5 shkurt për shkak të mbylljes më të gjatë të qeverisë në histori amerikane, të shkaktuar nga mosmarrëveshjet mes presidentit republikan dhe shumicës demokratike në Kongres mbi financimin për ndërtimin e një muri në kufi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke thotë se një debat në Senat të hënën dha sinjalet e asaj që mund të pritet nga fjalimi i presidentit Trump.
Presidenti Trump pritet të paraqitet si një lider i fortë që po përmbush premtimet e fushatës së tij. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell la të kuptohet se suksesi i ekonomisë amerikane mund të jetë tema kryesore e fjalimit.
"Politikat pro-rritjes ekonomike dhe pro-familjes të republikanëve kanë ndihmuar krijimin e vendeve të punës dhe gjallërimin e bizneseve të vogla, ndërsa familjet e klasës së mesme në mbarë vendin vazhdojnë të përfitojnë nga këto politika".
Demokratët janë të përgatitur të përgjigjen, siç treguan komentet e udhëheqësit të pakicës në Senat, Chuck Schumer.
"Nesër, presidenti do të thotë, siç pritet, se gjendja e vendit tonë është e fortë, por e vërteta është se gjendja e ekonomisë së krijuar nga zoti Trump po dobëson klasën e mesme amerikane. Gjendja e sistemit të kujdesit shëndetësor është duke dobësuar familjet amerikane dhe administrata Trump është e përfshirë në kaos dhe paaftësi".
Presidenti Trump e ka pranuar se mund të mos jetë në gjendje të marrë mbështetje të mjaftueshme në Kongres për të financuar ndërtimin e një muri kufitar - premtimi i tij kryesor gjatë fushatës. Ai ka thënë se mund të deklarojë një emergjencë kombëtare për të marrë fondet e nevojshme dhe mund ta përdorë fjalimin mbi gjendjen e vendit për të nxitur këtë mundësi. Senatori Lindsay Graham u ka kërkuar republikanëve të tjerë që ta mbështesin presidentin.
"Nëse demokratët nuk do të punojnë me të, mendoj se do të ishte gabim për republikanët ta sabotojnë presidentin, nëse ai përpiqet të vendosë barrierat në vend, duke përdorur autoritetin e tij si komandant i forcave të armatosura".
Presidenti Trump gjithashtu ka gjasa të deklarojë suksesin në ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, si një justifikim për t'i dhënë fund angazhimit 17 vjeçar amerikan në atë vend. Rand
Paul, një senator republikan nga Kentaki, është gjithashtu një mbështetës i pasionuar i tërheqjes së trupave amerikane nga Siria dhe Afganistani.
"Ne jemi fitimtarë, në çdo aspekt. Kemi vrarë bin Ladenin, kemi ndërprerë kampet terroriste në Afganistan. A është Afganistani me probleme? Sigurisht, është dhe do të jetë i tillë".
Por disa ligjvënës nga të dyja partitë e kundërshtojnë tërheqjen nga Afganistani.
"Një nga kolegët tanë, senatori nga Florida Marco Rubio, tha se terrorizmi është si një tumor, si kancer. Mund të përpiqemi ta eliminojmë atë, por nëse nuk jemi të suksesshëm në eliminimin e tij, edhe pse e kemi zvogëluar, ai do të rikthehet sapo të të ulet presioni".
Presidenti Trump pritet gjithashtu të thotë se ka patur përparim në negociatat tregtare të administratës së tij me Kinën dhe bisedimet me Korenë e Veriut për çnuklearizimin e Gadishullit Korean.