Ligjvënësit britanikë po debatojnë këtë javë propozime të reja mbi marrëveshjen e tërheqjes nga Bashkimi Europian, Brexit, në një klimë paralajmërimesh të forta për pasojat që e presin vendin, nëse del nga BE-ja pa një marrëveshje më 29 mars.
Kryeministrja Theresa May shpreson të negociojë mbi ndryshimet në Marrëveshjen e Tërheqjes në takimet me Brukselin gjatë ditëve në vijim. Javën e kaluar, shumica e deputetëve britanikë mbështetën thirrjet për t’i bërë ndryshime marrëveshjes. Bashkimi Evropian e ka refuzuar prerë rihapjen e bisedimeve.
Ka shenja në rritje se pasiguria mbi Brexit-in po fillon të godasë investimet. Gjigandi japonez i makinave Nissan njoftoi të dielën se po e zhvendos prodhimin e një prej modeleve më të njohura të tipeve SUV, X-trail, jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Vendimi shfuqizon një premtim të bërë nga firma Nissan menjëherë pas referendumit të vitit 2016.
Bëhet e ditur se Britania i ofroi Nissanit mbi 100 milionë dollarë në vitin 2016 për ta bindur që t’i mbajë operacionet në Mbretërinë e Bashkuar. Vendimi i fundit i firmës japoneze u prit me habi nga ligjvënësit britanikë.
Ndërsa lidhjet japono-britanike pësuan goditje, Japonia dhe Bashkimi Evropian po festojnë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje tregtare, me vlerë që kap një të tretën e PBB-së globale. Gjatë një vizite në Tokio të hënën, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se një marrëveshje Brexit është ende e mundur.
"Por ne duhet të dimë nga Britania se çfarë do të parashikojë kjo marrëveshje, dhe kjo është pika kritike," tha zonja Merkel në një konferencë shtypi.
Kërcënimi i daljes së Britanisë nga BE-ja pa asnjë marrëveshjeje po rritet gjithnjë e më shumë. Planet emergjente të qeverisë që kanë rrjedhur në mediat britanike, flasin për një evakuim të mundshëm të Familjes Mbretërore nga Pallati Buckingham.
Skenarët më të këqinj parashikojnë trazira në rrugë për shkak të mungesave të ushqimeve dhe ilaçeve, ndërkohë që kufizimet e eksportit të mbetjeve mund të krijojnë male të tëra me plehra nëpër rrugët e Britanisë.